Please enter at least 3 characters.

Komuna e Ferizajt kundërshton mungesën e buxhetit për USHAF-in: Nuk do të lejojmë mbylljen e universitetit

Komuna e Ferizajt ka reaguar ndaj mospërfshirjes së Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (USHAF) në planifikimin buxhetor për vitin 2027, duke e cilësuar këtë veprim si të papranueshëm dhe me pasoja të rënda për arsimin e lartë në qytet.

Sipas reagimit, përmes Qarkores Buxhetore për vitin 2027 si dhe kufijve buxhetorë për vitet 2028 dhe 2029, Ministria e Arsimit dhe Ministria e Financave nuk kanë planifikuar financimin e universitetit.

Komuna e Ferizajt e ka cilësuar këtë si një "sulm institucional" ndaj universitetit, duke theksuar se USHAF është ndërtuar me kontributin e profesorëve, stafit dhe komunitetit akademik dhe se ka shërbyer ndër vite për përgatitjen e kuadrove profesionale.

Në reagim thuhet se një vendim i tillë rrezikon funksionimin e universitetit, kufizon mundësitë e studentëve për arsimim dhe dëmton zhvillimin e qytetit, i cili cilësohet si një nga qendrat kryesore ekonomike të vendit.

Komuna i ka bërë thirrje Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Financave që ta rishqyrtojnë vendimin dhe të sigurojnë financimin e nevojshëm për Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj.

"Ferizaj nuk lejon mbylljen e Universitetit. Ferizaj nuk hesht për mbylljen e institucionit ku ndër vite janë kualifikuar breza të tërë studentësh", thuhet në reagimin e Komunës. /Telegrafi/