Please enter at least 3 characters.

Komuna e Deçanit publikon listën e përfituesve për renovimin dhe rindërtimin e shtëpive në kuadër të projektit për banim social

Komuna e Deçanit ka shpallur sot zyrtarisht rezultatet për përfituesit e nënprojekteve për renovimin dhe rindërtimin e shtëpive private për familjet dhe individët e cenueshëm.

Ky proces është zhvilluar në kuadër të projektit „Banim Social Adekuat“, i cili buron nga Memorandumi i Mirëkuptimit i nënshkruar më 23 dhjetor 2024 ndërmjet Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) dhe Komunës së Deçanit.

Përzgjedhja e përfituesve është bërë nga Komisioni Vlerësues i themeluar pranë komunës, duke u bazuar në kriteret e shpallura në thirrjen publike të datës 28 korrik 2025.

Ndër kriteret kryesore të vlerësimit janë përfshirë nevoja e dëshmuar për renovim apo rindërtim, statusi social dhe cenueshmëria e aplikuesit, pronësia e parcelës ose shtëpisë, si dhe leja ndërtimore apo procesi i legalizimit.

Procedura e ankesave dhe konsideratat mjedisore

Komuna e Deçanit ka bërë të ditur se i gjithë procesi i implementimit do të jetë në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi në Republikën e Kosovës dhe me kërkesat e Kornizës së Menaxhimit Mjedisor e Social të Projektit.

Të gjithë aplikuesit që shprehin pakënaqësi me rezultatet e shpallura, Komuna e Deçanit ka bërë të ditur se kanë të drejtë ligjore të paraqesin ankesë zyrtare. Ankesat duhet të dorëzohen pranë Ndërtesës së Komunës – Njësiti i Implementimit të Projektit (NjIP), brenda afatit prej 15 ditëve nga dita e publikimit të kësaj liste. /Telegrafi/