Komuna e Çairit: Komisioni për vlerësimin e dëmeve nga stuhia është formuar në maj me vendim të Këshillit komunal
Komuna e Çairit ka reaguar ndaj deklaratave të këshilltarëve komunalë të opozitës, duke theksuar se pretendimet për mungesën e një komisioni për evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve nga reshjet e fundit nuk qëndrojnë.
Sipas Komunës, Komisioni për vlerësimin dhe përcaktimin e lartësisë së dëmeve nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë e tjera është formuar me vendim të Këshillit të Komunës që në muajin maj, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
“Nuk presim të ndodhin fatkeqësi për të reaguar, por ndërtojmë mekanizma institucionalë paraprakisht për të siguruar gatishmëri dhe reagim të shpejtë”, thuhet në reagimin e Komunës.
Komuna njofton se menjëherë pas reshjeve të dendura, ekipet komunale, Shtabi i Krizave, ndërmarrjet publike dhe institucionet kompetente kanë dalë në terren dhe kanë ndërhyrë në të gjitha lokacionet ku është paraqitur nevoja.
Paralelisht, sipas reagimit, ka nisur evidentimi i dëmeve, ndërsa komisioni do të vazhdojë procedurat e vlerësimit dhe përpunimit të tyre në përputhje me metodologjinë dhe afatet e përcaktuara me ligj.
Komuna thekson se kërkesa e opozitës për formimin e komisionit është e pabazuar, pasi ai tashmë ekziston dhe është miratuar nga vetë Këshilli Komunal, ku kanë marrë pjesë edhe këshilltarët e opozitës.
Në fund, Komuna e Çairit rithekson se mbetet e përkushtuar për trajtimin me seriozitet, profesionalizëm dhe transparencë të çdo rasti të paraqitur nga qytetarët, ndërsa kompensimi i dëmeve do të realizohet sipas procedurave ligjore dhe kompetencave institucionale.
Gjithashtu, u bën thirrje subjekteve politike që në situata që prekin qytetarët të kontribuojnë me informim të saktë dhe konstruktiv, duke shmangur krijimin e perceptimeve të pasakta.


