Please enter at least 3 characters.

KOMF i bashkohet fushatës për kujdes modern ndaj diabetit te fëmijët në Kosovë

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF) i është bashkuar fushatës së Aksionit për Nëna dhe Fëmijë (AMC) dhe Tip1omël për të bërë kujdesin modern ndaj diabetit më të qasshëm për fëmijët me diabet të tipit 1 në Kosovë.

KOMF i është bashkuar thirrjes drejtuar Qeverisë së Kosovës që Monitoruesit e Vazhdueshëm të Glukozës (CGM) dhe pompat e insulinës të përfshihen në Listën e Pajisjeve Mjekësore Esenciale të Kosovës.

“Në asnjë fëmijë me Diabet Tip 1 nuk duhet të mbetet pa pajisjet që i nevojiten për shkak të kostos së tyre”, thuhet në deklaratën e KOMF-it.

Sipas AMC-së, me mbështetjen e KOMF-it, fushata tashmë ka përkrahjen e më shumë se 30 organizatave joqeveritare vendore dhe ndërkombëtare. Ndërkohë, peticioni publik për këtë çështje ka mbledhur afër 1 mijë e 900 nënshkrime.

Drejtoresha Ekzekutive e AMC-së, Rina Demiri Spahija, e ka vlerësuar mbështetjen e KOMF-it si një hap të rëndësishëm për fushatën.

“Mbështetja e tyre e fuqizon thirrjen tonë për një sistem ku asnjë fëmijë të mos mbetet pa teknologjinë esenciale për menaxhimin e diabetit për shkak të kostos”, ka deklaruar ajo.

Fëmijët me diabet të tipit 1 kanë nevojë për terapi me insulinë gjatë gjithë jetës dhe monitorim të vazhdueshëm të nivelit të glukozës në gjak. Sipas organizatave, pajisjet CGM dhe pompat e insulinës mund të ndihmojnë në menaxhimin më të sigurt të sëmundjes, uljen e rrezikut të komplikimeve dhe zvogëlimin e nevojës për matje të shpeshta me shpim të gishtit dhe injeksione.

Megjithatë, kostoja e këtyre pajisjeve vazhdon të jetë pengesë për shumë familje në Kosovë.

Përmes fushatës, AMC, Tip1omël dhe organizatat mbështetëse po kërkojnë nga Qeveria dhe autoritetet shëndetësore që mundësia e një fëmije për të pasur qasje në pajisjet e nevojshme për menaxhimin e diabetit të mos varet nga gjendja financiare e familjes.

Organizatat kanë bërë thirrje për mbështetjen e peticionit publik për përfshirjen e këtyre pajisjeve në listën e pajisjeve mjekësore esenciale. /Telegrafi/

Nënshkruani peticionin: https://www.change.org/diabetescarekosovo