Please enter at least 3 characters.

Kino Lumbardhi nis programin “Kinemaja e Kujtimeve” me filma e biseda për të shkuarën

Fondacioni Lumbardhi ka bërë të ditur se çdo të mërkure, gjatë muajit prill dhe maj prej orës 19:00 do të shfaqen filmat në kuadër të programit të “Kinemasë së Kujtimeve”.

Ky program dy-mujor, sipas njoftimit, përqendrohet në kinemanë e kujtimeve dhe përjetimeve, duke sjellë ndërmend përvojat e mëhershme të shikimit të filmave në “Kino Lumbardhi”.

Së bashku me shfaqjet e përhershme të filmave, sipas njoftimit, do të ketë edhe biseda me personalitete të ndryshme nga qyteti i Prizrenit, që kanë qenë vizitorë të mëhershëm të kinemasë, për të ndarë kujtimet e përvojat e tyre lidhur me këtë kinema, raporton Telegrafi.

“Programi nis më 9 prill prej orës 19:00 e në bisedë do të kemi z. Masar Drini,i cili ka punuar si staf i Kinemasë Lumbardhi deri në vitin 1983. Nga viti 1983 deri në vitin 1993 ka shërbyer si Drejtor i Kinemasë Lumbardhi. Pas bisedës me z. Drini do të shfaqim filmin e përzgjedhur nga ai në bashkëpunim me ekipin kuratorial të filmave në Kino Lumbardhi të titulluar “They Call Me Trinity” me regji të Enzo Barboni (E.B.Clucher), një klasik i filmave të zhanrit spaghetti Western. Trinity (luajtur nga Terrence Hill) dhe Bambino (luajtur nga Bud Spencer) do t’ju marrin me vete në një udhëtim sa komik, po aq edhe donkishotian. Për disa me siguri do t’u sjellë kujtime krejt të tjera lidhur me Kino Lumbardhin vetë”, thuhet në njoftim.

Programi vijon më 9, 16, 23, 30 prill si dhe më 7, 14, 21 dhe 28 maj prej orës 19:00, në Kino Lumbardhi. /Telegrafi/