Kica-Xhelili para mbledhjes së LDK-së: Tashmë është krijuar një pamundësi objektive për pjesëmarrje në seancën e radhës
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica-Xhelili ka deklaruar se dallimet dhe mospajtimet brenda partisë duhet të trajtohen në kuadër të strukturave të saj, duke shprehur bindjen se ekziston hapësirë për të gjetur një gjuhë të përbashkët.
Kica-Xhelili këto deklarata i bëri para mediave, pak para se të hynte në mbledhjen e Grupit Parlamentar të LDK-së.
“Pajtimet tona t’i trajtojmë brenda dhe t’i lëmë brenda. Mendoj që ka shumë hapësirë që ne ta gjejmë një gjuhë të përbashkët”, ka thënë ajo.
Ajo ka theksuar se perspektivat dhe qëndrimet e deputetëve mund të ndryshojnë, ndërsa ka shtuar se nuk ka takuar deri më tani ndonjë person që nuk ka punuar për LDK-në.
“Personalisht ende nuk më ka rastisur që ta takoj një person që nuk ka punuar për LDK-në. Perspektivat tona që sjellin benefite për Kosovën mund të ndryshojnë”, është shprehur Kica-Xhelili.
Duke folur për seancën e radhës të Kuvendit dhe çështjen e zgjedhjes së presidentit, deputetja e LDK-së e ka cilësuar si të ndërlikuar caktimin e një seance të re, duke iu referuar afatit të mëparshëm.
“Është shumë e ndërlikuar caktimi i seancës së re, pasi afati i fundit ishte në gusht”, ka deklaruar ajo.
Sipas Kica-Xhelilit, çdo afat i ri tashmë e tejkalon atë që ajo e konsideron si një suazë serioziteti nga ana e Albin Kurtit.
“Çdo afat shtesë tashmë tejkalon një suazë të plotë të seriozitetit nga vetë Kurti. Mendoj që fakti që Kurti ka caktuar një afat përtej afatit të determinuar tregon se sa i pavendosur ka qenë vetë ai për kandidimin e Bekim Sejdiut. Po ta kishte seriozisht, do ta caktonte brenda afatit”, ka thënë ajo.
Kica-Xhelili ka bërë të ditur se, në këndvështrimin e saj, nuk ka më hapësirë për të marrë pjesë në një seancë që, sipas saj, ka tejkaluar të gjitha afatet dhe rrethanat e mëparshme.
“Nuk ka më hapësirë për mua si Doarsë të marr pjesë në një seancë që ka tejkaluar çdo gjë”, ka deklaruar deputetja e LDK-së.
Ajo ka theksuar se gjithmonë ka qenë e hapur ndaj kolegëve të saj, por ka vlerësuar se tashmë është krijuar një pamundësi objektive për pjesëmarrje në seancën e radhës.
“Doarsa, si gjithmonë, ka qenë mendjehapur në raport me kolegët, por në opinionin tim profesional është krijuar një pamundësi goxha objektive për me marrë pjesë në seancën e radhës”, ka përfunduar Kica-Xhelili.
Ndërsa, deputeti Anton Quni ka thënë se vendimi për qëndrimin e partisë do të merret pas diskutimeve në mbledhjen e Grupit Parlamentar.
Para mediave, Quni tha se deputetët do të diskutojnë dhe më pas do të dalin me një qëndrim të përbashkët.
“Do të diskutojmë në Grupin Parlamentar dhe do të vijmë te një mendim i përbashkët”, ka deklaruar Quni.
Ai ka theksuar se do ta respektojë vendimin që do të merret nga shumica e Grupit Parlamentar, duke nënvizuar rëndësinë e unitetit brenda LDK-së.
“Nuk do të bëhem përjashtim i shumicës që do ta marrë këtë vendim. Por, për një gjë jeni të bindur: një LDK sa më e unifikuar do të thotë një shpresë dhe progresivitet më i madh për Republikën e Kosovës”, është shprehur ai.
Quni u ka bërë thirrje edhe mediave që të kontribuojnë në qetësimin e situatës, në rast se shfaqen tensione brenda partisë.
“Prandaj, kisha kërkuar edhe nga ju që, për çdo shfaqje të ndonjë tensioni, të na ndihmoni që të shtensionohet situata”, ka thënë Quni. /Telegrafi/


