NATO mohon se ka lëshuar raketa nga Kosova: Pretendimi është i rremë
Në lidhje me disa pretendime që po qarkullojnë në rrjetet sociale se NATO ka lëshuar raketa nga Kampi Bondsteel apo objekte të lidhura me Kosovën drejt Iranit, NATO ka deklaruar se ky është një pretendim i rremë dhe se e hedh plotësisht poshtë.
Një zyrtar i NATO-s thekson se sekretari i përgjithshëm Mark Rutte ka bërë të qartë se Aleanca nuk është e përfshirë në fushatën aktuale ajrore kundër regjimit iranian.
“Ky pretendim është i rremë dhe ne e hedhim plotësisht poshtë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tashmë ka bërë të qartë se NATO si organizatë nuk është e përfshirë në fushatën aktuale ajrore kundër regjimit iranian. KFOR-i vazhdon të përmbushë mandatin e tij për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë".
"Ky është edhe fokusi i misionit tonë. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të luajnë një rol kyç në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetit rajonal, përfshirë në kuadër të misionit KFOR të udhëhequr nga NATO", thuhet në reagim.
Tutje theksohet se, "Shtetet e Bashkuara kanë rreth 600 trupa të dislokuar në KFOR. Ato kanë komandën e Komandës Rajonale Lindje të misionit, e cila kontribuon në aktivitetet e përditshme të KFOR-it në mënyra të ndryshme, përfshirë patrullimet, ushtrimet, takimet me përfaqësues të të gjitha komuniteteve lokale dhe mbështetjen e projekteve të rindërtimit dhe zhvillimit ekonomik.”


