Please enter at least 3 characters.

Kadare: Koha po punon për shqiptarët

2016/01/f.0527131833972_m.jpg

“Është kënaqësi që të shikoj se si këtu ka njerëz që punojnë për Kosovën, për interesat e saj, i mbrojnë ato interesa, ndonëse nuk është e lehtë që gjithnjë të mbrohen interesat e një populli. Ka një paragjykim, se të mbrosh të drejtën, është e lehtë. Të mbrosh të drejtën është disa herë tepër e vështirë, ashtu sikurse është e lehtë për shtete të tjera që mbrojnë të shtrembrën, mbrojnë mashtrimin. Për fat të keq, kjo ndodh, ne nuk mund të ndryshojmë zakonet e njerëzimit”, tha Kadare.

Por, e rëndësishme, sipas Kadaresë, është që koha është duke punuar për shqiptarët dhe Kosovën. “Një gjë është e vërtetë, që Kosova ecën përpara, kombi shqiptar ecën përpara, koha punon për ta. Kur koha punon për një popull, jo të gjithë e kanë të lehtë ta kuptojnë që koha punon për ta. Madje, shpesh kujtojnë, kur koha punon për ta, kujtojnë ose u krijohet iluzioni se koha nuk punon për ta – ose e kundërta. Dhe, këtu ndodhin shpesh tragjedi. Kam kënaqësinë ta përsëris që koha punon për Kosovën, koha punon për shqiptarët”, u shpreh Kadare.

Në anën tjetër, presidenti Fatmir Sejdiu e ka quajtur Kadarenë ambasadorin më të mirë të prezantimit të identitetit shqiptar në Evropë. “E falënderoj për mbështetjen e fuqishme dhe porositë e gjithmonshme në kohën e duhur për ecjet tona dhe përkushtimin në mbështetje të mëtejme për rolin që ka, pasi që është personalitet unikat, dhe duhet ta them misionar dhe ambasador më i mirë në kuptimin e prezantimit të identitetit shqiptar në Evropë. Njeriu që ka shpërthyer në 4 anët e globit në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha presidenti Sejdiu.

Ismail Kadare, lidhjen me Kosovën e ka shprehur në shumë nga librat dhe publikimet e tij, të cilët sensibilizuan opinionin evropian në kohën kur populli shqiptar i Kosovës kalonte nëpër periudha të vështira të mbijetesës. Kadare e quan Kosovën gjënë themelore të kombit shqiptar. Ai është shprehur i kënaqur që ka gjetur gjuhë të përbashkët me presidentin Sejdiu për zhvillimet në Kosovë.

I pyetur të komentojë për rëndësinë e rrugës Durrës - Kukës - Prishtinë, shkrimtari i madh shqiptar ka thënë se lidhjet mes Kosovës dhe Shqipërisë kanë ekzistuar gjithmonë. Këto afrime, sipas tij, e kapërcejnë atë që mund të bëjë një rrugë. /Radio Evropa e Lirë/