Please enter at least 3 characters.

Juventusi po 'peshkon' yllin e Real Madridit që nuk është në planet e Alonsos

Juventusi është duke shqyrtuar mundësinë e transferimit të mesfushorit të Real Madridit, Dani Ceballos, i cili aktualisht është jashtë planeve të trajnerit të ri Xabi Alonso.

Pas largimit të Douglas Luiz dhe mundësisë që edhe Weston McKennie të largohet këtë verë, Juventusi është në kërkim të përforcimeve në mesfushë. Aktualisht, Manuel Locatelli dhe Khephren Thuram mbeten të vetmit mesfushorë të profilit mbrojtës në skuadër.

Sipas TuttoJuve, drejtuesit e Zonjës së Vjetër po e mbajnë nën vëzhgim Ceballosin si një alternativë serioze. Mesfushori spanjoll nuk bën pjesë në planet e Xabi Alonsos dhe Real Madrid është i gatshëm ta shesë.

Ceballos e nisi karrierën e tij te Real Betis dhe u transferua te Reali në vitin 2017. Pasi nuk arriti të konsolidohej në dy sezonet e para, ai kaloi dy vite në huazim te Arsenali, ku la përshtypje të mira.

Pas rikthimit në Madrid në vitin 2021, Ceballos gjeti hapësirë të kufizuar në formacion, por ruajti vendin në skuadër falë mbështetjes së trajnerit Carlo Ancelotti. Me ardhjen e Xabi Alonsos, pozitat e tij janë dobësuar edhe më shumë.

Real Betis ka shprehur interes për ta rikthyer në ekip, por klubi andaluzian nuk mund të konkurrojë financiarisht me Juventusin për këtë transferim.

Kontrata e Ceballos me Real Madridin është e vlefshme deri në vitin 2027, ndërsa vlera e tij në treg, sipas Transfermarkt, është rreth 10 milionë euro. /Telegrafi/