Please enter at least 3 characters.

Juniku përfiton autoambulancë të re për QKMF-në, Shehu: Do të rrisim cilësinë e shërbimeve shëndetësore

Komuna e Junikut ka pranuar një autoambulancë të re për Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, në funksion të përmirësimit të shërbimeve shëndetësore për qytetarët.

Lajmi është bërë i ditur nga kryetari i Junikut, Ruzhdi Shehu, i cili përmes një postimi në Facebook ka theksuar rëndësinë e këtij donacioni për sektorin e shëndetësisë në komunë.

“Komuna e Junikut ka pranuar donacion një autoambulancë të re për QKMF-në, si rezultat i angazhimit tonë të vazhdueshëm për të rritur cilësinë e shërbimeve shëndetësore”, ka shkruar Shehu.

Ai ka theksuar se kjo arritje është rezultat i bashkëpunimit institucional, veçanërisht me Ministrinë e Shëndetësisë, duke synuar rritjen e efikasitetit në ofrimin e shërbimeve emergjente.

“Përmes kësaj pune të palodhshme dhe bashkëpunimit me Ministrinë e Shëndetësisë, po sigurojmë që shërbimi i urgjencës të jetë sa më i shpejtë dhe efikas për çdo banor të komunës sonë”, ka deklaruar ai.

Shehu ka theksuar se institucionet lokale do të vazhdojnë angazhimin për përmirësimin e kushteve në shëndetësi.

“Vazhdojmë me punë e përkushtim!”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/