Jared Leto mohon akuzat për abuzim seksual: "Nuk kam abuzuar kurrë me askënd"
Aktori dhe muzikanti i njohur Jared Leto ka mohuar kategorikisht akuzat për abuzim seksual që janë ngritur ndaj tij nga disa gra në dokumentarin e ri të BBC-së, me titull "Jared Leto: Hollywood's Dark Secret".
Dokumentari sjell dëshmitë e katër grave, të cilat pretendojnë se aktori 54-vjeçar i ka abuzuar seksualisht kur ato ishin ende adoleshente.
Në një deklaratë për revistën People, të publikuar të mërkurën, Leto hodhi poshtë të gjitha pretendimet.
"Nuk kam abuzuar seksualisht kurrë me askënd në jetën time. Këto pretendime janë absolutisht dhe kategorikisht të pavërteta", deklaroi ai.
Sipas dokumentarit, njëra nga gratë pretendon se kishte kryer marrëdhënie seksuale me frontmenin e grupit Thirty Seconds to Mars në shtëpinë e tij në Kaliforni kur ishte 17 vjeç, ndërsa Leto ishte 34 vjeç. Duke qenë se mosha ligjore e pëlqimit në Kaliforni është 18 vjeç, ajo pretendon se veprimi mund të klasifikohej si përdhunim i një të miture.
Ajo rrëfen se aktori nuk dukej i shqetësuar për moshën e saj dhe pretendon se ai i kishte kërkuar ta thërriste "babi", ndërsa ajo ndihej e detyruar të sillej si një vajzë e vogël.
Një grua tjetër përshkroi një incident të dyshuar në banjën e një moteli, i cili, sipas saj, ndodhi kur ishte po ashtu 17 vjeçe. Ndërkohë, një e tretë pretendon se Leto e kishte kërcënuar me sulm fizik kur ajo ishte 19 vjeçe.
Dëshmia e katërt vjen nga një grua që pretendon se aktori e kishte kontaktuar dhe i kishte bërë vazhdimisht telefonata me përmbajtje eksplicite kur ajo ishte vetëm 16 vjeçe. Sipas saj, gjatë një prej bisedave ai kishte sugjeruar edhe kryerjen e marrëdhënieve seksuale.
Përveç këtyre katër grave, BBC intervistoi edhe gjashtë gra të tjera, të cilat folën për takime me Jared Leton në periudhën 2002–2016.
Në dokumentar dëshmojnë edhe disa ish-bashkëpunëtorë anonimë të grupit Thirty Seconds to Mars, të cilët pretendojnë se këngëtari u dërgonte mesazhe vajzave të mitura dhe i ftonte ato në skenë gjatë koncerteve.
Njëri prej tyre, i identifikuar me emrin "Brad", i cili kishte qenë pjesë e turneve të grupit, e përshkroi Leton si "njërin nga njerëzit më të këqij për të cilët kam punuar ndonjëherë".
Ai shtoi se anëtarët e stafit kishin për detyrë të zgjidhnin vajza nga publiku dhe t'i çonin në prapaskenë, ku Leto bisedonte me to në dhomën e zhveshjes. Megjithatë, ai nuk pranoi të tregonte se çfarë ndodhte më pas.
BBC bën të ditur se Jared Leto nuk iu përgjigj kërkesës së saj për koment para publikimit të dokumentarit. Sipas medias britanike, rrëfimet e grave janë mbështetur edhe nga dëshmi të miqve dhe familjarëve të tyre, ndërsa në disa raste janë siguruar fotografi dhe mesazhe që, sipas BBC-së, mbështesin pretendimet.
Akuza të ngjashme ndaj aktorit ishin bërë publike edhe në qershor të vitit 2025, kur portali Air Mail publikoi dëshmitë e nëntë grave që e akuzonin për sjellje të papërshtatshme. Edhe atëherë, disa prej tyre pretendonin se kishin qenë të mitura në kohën e ngjarjeve, ndërsa zëdhënësi i Jared Letos i kishte mohuar kategorikisht të gjitha akuzat. /Telegrafi/


