Please enter at least 3 characters.

Japonezi gjen ngjashmëri të Kanunit me kulturën japoneze

2016/01/f.0331201958144_m.jpg

Në një intervistë për Zërin e Amerikës ai thotë se interesimi për kulturën shqiptare, veçanërisht mbi Kanunin, i lindi 21 vjet më parë, kur ka lexuar romanin “Prilli i Thyer” të Ismail Kadaresë.

“Kur lexova këtë libër, mendova se Kanuni (që ishte njëra prej temave të romanit) karakterizohej shumë prej etikës dhe moralit. Kështu, fillova të kryeja kërkime mbi aspektet etike dhe morale të Kanunit të Lekë Dukagjinit, 21 vjet më parë; ky ishte fillimi i punës sime.

Duke folur mbi veçoritë e Kanunit në të cilat është përqendruar studimi i tij ai thotë se është përqendruar tek aspektet etike të Kanunit.

“Kërkova të gjeja këta elementë etikë duke i krahasuar me traditat antike japoneze. Tradita kryesore e Japonisë antike ishte koncepti i Mikut-Perëndi. Kur një i panjohur vizitonte një shtëpi ai duhej të pranohej si një lloj Perëndie, një lajmëtar i Zotit. Gjatë studimeve të mia, gjeta ngjashmëri midis konceptit të mikut tek Kanuni dhe atij në kulturën antike japoneze. Gjashtë elementë bazë të Kanunit janë: besa, nderi, miku, gjaku, buka, dhe hakmarrja. Gjithashtu hetova mbi konceptet etike të veprave homerike Iliada dhe Odisea. Këto vepra u shkruan rreth 2700 vjet më parë dhe zbulova që gjashtë elementët e sipërpërmendur ndodheshin edhe në to. Pra, unë vura re që elementët etikë të veprave homerike ishin të njëjta me ato të Kanunit’, thotë Yamamoto.

Më tej ai thotë se “më pas analizova tragjeditë greke, si për shembull ato të Eskilit dhe Sofokliut, dhe i gjeta këto gjashtë koncepte edhe në ato tragjedi. Megjithatë, disa elementë në tragjedinë greke po ndryshonin, pasi ato po shkruheshin në Athinë, e cila ishte një polis, pra një formë shteti. Mendoj se tragjeditë e Eskilit dhe Sofokliut pasqyrojnë kohët e ndërmjetme të moralit njerëzor: nga ato të një shoqërie pa praninë e fuqisë së një shteti në kohët e një shoqërie ku fuqia e shtetit është e pranishme”.

Pasi Shqipëria dhe Kosova janë shumë larg prej Japonisë, Yamamoto, thotë se në Japoni, shumë pak njerëz dinë gjëra mbi këto shtete apo mbi këtë rajon.

“Kur flas me bashkëkombësit e mi mbi shqiptarët, ata thonë se nuk i njohin. Pra, më duhet shumë kohë për të shpjeguar se si është Shqipëria dhe se çfarë vendi i mrekullueshm është. Njerëzit në Shqipëri dhe Kosovë janë shumë miqësorë me ne të huajt. Në mënyrë të veçantë ata kanë treguar dashamirësi të madhe ndaj ne japonezëve. Kur flas me shqiptarët, më duket sikur jam duke folur me njerëz të vendit tim. Udhëtimet e mia atje kanë qenë për mua mjaft të mira, një përvojë fantastike do të thoja. Pra, kam ndjenja mjaft pozitive ndaj kulturës shqiptare dhe ndaj shqiptarëve”, thotë ai.

Yamamoto thotë se planifikon të vazhdojë kërkimet mbi aspektet etike të Kanunit, “duke i krahasuar ato me elementë të kulturave të ndryshme, si për shembull, kultura japoneze antike, ajo moderne si dhe kultura të vendeve të tjera”. /Telegrafi/