Ish-ministri i Jashtëm gjerman bën thirrje për krijimin e një bombe atomike evropiane
Ish-ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Joschka Fischer, ka deklaruar se Evropa duhet të rishikojë rrënjësisht strategjinë e saj të sigurisë dhe të shqyrtojë seriozisht mundësinë e krijimit të një kapaciteti të përbashkët bërthamor evropian.
Sipas tij, realitetet gjeopolitike të ditëve të sotme kanë treguar se kontinenti nuk mund të mbështetet më në arkitekturën e vjetër të sigurisë.
Fischer theksoi se garancitë e sigurisë nga Shtetet e Bashkuara nuk janë më të sigurta dhe të besueshme si më parë.
“Garancitë amerikane të sigurisë nuk janë më të besueshme që nga ky moment”, u shpreh ai në një intervistë për gazetën gjermane Tagesspiegel. Kjo situatë, sipas tij, e vendos Evropën përballë nevojës për të marrë më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e vet.
Në këtë kontekst, Fischer nënvizoi rolin e Gjermanisë si një aktor kyç në Evropë, duke pranuar se vendi i tij ka një përgjegjësi të veçantë për udhëheqje.
Megjithatë, ai theksoi qartë se kjo udhëheqje nuk duhet të jetë e njëanshme apo dominuese, por të realizohet gjithmonë në bashkëpunim të ngushtë me vendet e tjera evropiane. “Gjermania mban përgjegjësi për udhëheqje në Evropë, por gjithmonë vetëm së bashku me të tjerët”, deklaroi ai.
Fischer nuk mbështet idenë e krijimit të një arme bërthamore kombëtare gjermane, por përkundrazi propozon një qasje kolektive në nivel të Bashkimit Evropian. Ai argumenton se një armatim bërthamor i përbashkët do të forconte autonominë strategjike të Evropës dhe do të shërbente si një faktor parandalues në një mjedis ndërkombëtar gjithnjë e më të paqëndrueshëm.
Sipas Fischerit, një iniciativë e tillë do të kërkonte debat të thellë politik, koordinim mes shteteve anëtare dhe një vizion të qartë për rolin e Evropës në skenën globale. Megjithatë, ai e sheh këtë hap si të pashmangshëm nëse Evropa dëshiron të mbrojë interesat dhe sigurinë e saj në të ardhmen. /Telegrafi/


