Please enter at least 3 characters.

Iranianët si ne kanë një mesazh për z. Trump: Ju lusim, sulmoni që tani

Hossein Molayemi (majtas) dhe Shirin Sohani me çmimin Oscar (2025) për Filmin më të Mirë të Animuar të Shkurtër, “Në hijen e selvisë” [“In the Shadow of the Cypress”]

(AFP/Getty)

Nga: Hossein Molayemi dhe Shirin Sohani / The Independent
Përkthimi: Telegrafi.com

Për gati pesë dekada, Republika Islamike e ka shndërruar jetën e miliona iranianëve në një tragjedi të vazhdueshme, përmes një përzierjeje të ideologjisë ekstremiste, ambicieve bërthamore dhe rajonale, si dhe paaftësisë dhe korrupsionit të thellë.

Regjimi në Teheran ka shpenzuar qindra miliarda dollarë nga pasuria e popullit iranian, pa pëlqimin e tyre, për programin e tij bërthamor dhe forcat përfaqësuese rajonale [proxy]. Si pasojë, pavarësisht burimeve të mëdha natyrore dhe një popullsie të re e të arsimuar, të ardhurat mujore të shumë familjeve kanë rënë në 100-150 dollarë [83-125 euro]. Papunësia është e madhe dhe inflacioni i pakontrolluar ka privuar miliona njerëz nga nevojat më elementare, përfshirë ushqimin dhe strehimin.

Në këto kushte, iranianët kanë dalë në rrugë - jo vetëm për lirinë e shprehjes, por për të drejtën për të mbijetuar. Përgjigjja e qeverisë ka qenë plumbi i vërtetë dhe shtypja brutale. Mijëra janë vrarë ose janë gjymtuar përjetësisht, dhe shumë të tjerë përballen me ekzekutime të pashmangshme. Raportimet e besueshme tregojnë për përdorimin e mundshëm të armëve kimike kundër civilëve. Për shkak të ndërprerjeve të internetit në nivel kombëtar, vetëm një pjesë e vogël e kësaj katastrofe ka arritur të dalë jashtë vendit.

Asnjë komb nuk e mirëpret një sulm të huaj në tokën e vet. Por, iranianët, të përballur me një regjim pa asnjë kufizim moral apo etik, nuk kanë mjete efektive për t’u mbrojtur. Parimi i “përgjegjësisë për t’u mbrojtur” e bën të qartë se komuniteti ndërkombëtar ka një detyrim moral për të ndërhyrë ushtarakisht.

Nuk flasim për pushtim, por për operacione të synuara me saktësi kirurgjikale: eliminimin e udhëheqësve të regjimit, ndërprerjen e burimeve financiare dhe rrjeteve komanduese, dhe fuqizimin e popullit iranian për të rimarrë të ardhmen e vet.

Në kundërshtim me disa supozime, rënia e Republikës Islamike nuk çon patjetër në paqëndrueshmëri. Në plan afatgjatë, paqëndrueshmëria e vërtetë është produkt i vazhdimit të ekzistencës së këtij regjimi. Mbështetja jonë për princin Reza Pahlavi, si udhëheqës i periudhës kalimtare, siguron që të shmanget vakumi i pushtetit dhe lufta civile dhe që grupet ekstremiste, terroriste dhe separatiste të mos e shfrytëzojnë situatën.

Disa grupe - veçanërisht disa aktivistë pro-palestinezë dhe segmente të së majtës - kanë zgjedhur të heshtin sepse emri i princit Reza Pahlavi ndërlidhet me këtë kryengritje dhe për shkak të frikës nga një restaurim i monarkisë. Princi Reza Pahlavi është aktualisht i vetmi udhëheqës kalimtar. Ai është zotuar se në Iran do të mbahet një referendum për të përcaktuar sistemin e ardhshëm politik.

Por, edhe nëse iranianët zgjedhin rikthimin e monarkisë, ata që besojnë vërtet në demokraci duhet të respektojnë vullnetin e popullit - edhe kur ai bie ndesh me preferencat e tyre personale. Disa aktivistë zgjedhin të mbyllin sytë përballë asaj që po ndodh aktualisht në Iran, sepse e konsiderojnë regjimin iranian si mbështetës të Palestinës. Mbështetja e Republikës Islamike për kauzën palestineze është kryesisht taktike, e udhëhequr nga interesat politike dhe jo nga shqetësimi për jetën e palestinezëve. Ata që pretendojnë se mbrojnë të drejtat e njeriut, ndërsa heshtin përballë vrasjeve këtu, do të përballen me pasojat morale dhe historike të kësaj heshtjeje.

Me përgjegjësinë që mbartin emrat tanë si artistë iranianë fitues të çmimit Oscar, nuk mund t’i shohim këto krime dhe të qëndrojmë të heshtur. Nuk mundemi dhe nuk do të flasim në mënyrë neutrale apo thjesht diplomatike. Heshtja jonë sot do të gjykohej nesër si bashkëfajësi.

Nëse udhëheqësit botërorë, përfshirë presidentin e Shteteve të Bashkuara, e përmbushin detyrimin e tyre moral duke rrëzuar regjimin iranian dhe duke ia kthyer pushtetin popullit, emrat e tyre do të përkujtohen me nder në kujtesën historike të iranianëve dhe në ndërgjegjen e botës. Megjithatë, heshtja apo vonesa do t’i kushtojë shtrenjtë komunitetit ndërkombëtar.

Populli iranian është një komb paqedashës. Nëse ndihmohet për të fituar lirinë, Irani mund të bëhet partner i besueshëm dhe burim rajonal e global stabiliteti, për dobi të të gjithëve. Vlen të kujtohen fjalët e Sadiut të Shirazit, “Mjeshtrit të Fjalës” të Iranit të shekullit XIII, poezia e të cilit shpesh citohet si një kujtesë për përgjegjësinë tonë të përbashkët njerëzore:

Njerëzit janë pjesë e një tërësie,
Të krijuar nga një thelb dhe një frymë.
Nëse një pjesë lëndohet nga dhimbja,
Pjesët e tjera nuk gjejnë qetësinë.
Nëse nuk ndjen dhimbjen e të tjerëve,
Nuk e meriton emrin “njeri”.

/Telegrafi/