Incident në Eurovision: Delegacioni serb tenton të pengojë valëvitjen e flamurit të Kosovës gjatë performancës së Shqipërisë
Një incident është raportuar në Qendrën e Mediave të festivalit të këngës Eurovision, që po mbahet këtë vit në Vjenë, ku një pjesëtare e delegacionit të Serbisë ka tentuar të pengojë valëvitjen e flamurit të Kosovës gjatë performancës së përfaqësuesit shqiptar.
Sipas anëtarit të Eurovision Kosova, Albert Limani, i cili ndodhej në sallën e mediave bashkë me ekipin e RTK-së duke ndjekur paraqitjen e Shqipërisë, një grua nga delegacioni serb iu afrua dhe tentoi t’ua largojë flamurin, duke pretenduar se “nuk lejohet” në atë hapësirë.
“Derisa po festonim bashkë me kolegë të tjerë paraqitjen e Shqipërisë në Eurovision, në Qendrën e Mediave në Vjenë, një grua nga delegacioni i Serbisë erdhi dhe tentoi të na e heqë flamurin e Kosovës, duke na thënë se ‘ky flamur nuk lejohet këtu’. Sigurisht, ajo tentoi ta prekë, por nuk e lejova dhe u kthye mbrapsht. Flamuri i Kosovës do të valojë dhe do të lejohet gjithkund, ndërsa ne do ta mbrojmë me çdo kusht”, ka shkruar Limani në Facebook, duke publikuar edhe një video nga momenti i incidentit.
Në këtë mbrëmje, Shqipëria u përfaqësua nga Alis Kallaçi, i cili performoi i pesti me radhë në finalen e Eurovisionit, duke interpretuar këngën “Nân” – një baladë emocionale që trajton lidhjen e thellë mes nënës dhe fëmijës.
Ngjarja ka nxitur reagime në rrjetet sociale, ndërsa pritet të shihet nëse organizatorët e Eurovisionit do të japin një sqarim lidhur me incidentin e raportuar në Qendrën e Mediave. /Telegrafi/


