Incident me flamurin palestinez në Operën Mbretërore të Londrës
Një incident i pazakontë ndodhi së fundmi në Operën Mbretërore të Londrës, kur pas përfundimit të një shfaqjeje, një nga aktorët, Daniel Perry, shpalosi një flamur të madh palestinez në skenë si shenjë proteste.
Teksa publiku vazhdonte të duartrokiste, një person nga prapaskena tentoi t’i rrëmbente flamurin, por Perry rezistoi dhe arriti ta mbante.
Në një video që po qarkullon në rrjetet sociale, shihen edhe dy aktorë të tjerë që largohen nga skena ndërkohë që ndodh përplasja, gjersa disa persona pas kuintave bërtasin drejt aktorit protestues, i cili i injoron ata dhe qëndron i palëkundur me flamurin në dorë.
Opera dhe Baleti Mbretëror reaguan me një deklaratë zyrtare, duke e cilësuar veprimin si “spontan dhe të paautorizuar” dhe duke theksuar se nuk ishte i miratuar nga institucioni.
Ata e përshkruan gjithashtu si një akt “tërësisht të papërshtatshëm” për momentin dhe riafirmuan qëndrimin e tyre për neutralitet politik.
Ndërkohë, Daniel ka marrë mbështetje dhe lëvdata të shumta në rrjetet sociale për këtë gjest, duke ndezur debat mbi aktivizmin në hapësira artistike. /Telegrafi/


