IKD: Tetë kandidatë për kryetarë komunash kanë probleme me ligjin, PDK me tre dhe LVV me një
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar sot një raport të ri në të cilin evidentohen kandidatët për kryetarë komunash në zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025, të cilët kanë aktakuza aktive apo janë dënuar më herët me vendime të formës së prerë për vepra penale.
Sipas raportit, nga 206 kandidatët për kryetarë të komunave, tetë (8) prej tyre apo 3.9% janë persona të cilët kanë probleme me ligjin.
Ndër ta, katër kanë aktakuza aktive, ndërsa pesë janë dënuar më parë me vendime të formës së prerë.
“Bazuar në të dhënat e monitorimit të IKD, nga 206 kandidatët për kryetarë të komunave, tetë (8) prej tyre apo 3.9% janë persona të cilët kanë probleme me ligjin. Prej tyre, janë gjithsej katër (4) kandidatë të cilët kanë aktakuza aktive, mbi bazën e të cilave aktakuza edhe janë dënuar nga gjykata e shkallës së parë, por se këto dënime ose janë kthyer në rigjykim ose nuk kanë marrë formën e prerë. Ndërkaq, janë identifikuar edhe pesë (5) kandidatë që në të kaluarën janë dënuar me vendim të formës së prerë”, thuhet në njoftim.
IKD thekson se edhe pse ndalesat ligjore mund të mungojnë për kandidimin e këtyre personave, prezenca e tyre në garën zgjedhore dëmton besimin publik në politikë.
Instituti rikujton se kërkesa për mos kandidim të personave të cilët kanë probleme me ligjin nuk nënkupton cenim të parimit të prezumimit të pafajësisë por se synon të dërgojë një mesazh pozitiv, në atë mënyrë që përderisa problemet me ligjin nuk përfundojnë, partitë politike nuk kandidojnë persona të tillë.
Nga tetë kandidatët për kryetar të komunave me probleme ligjore, katër janë nga dy parti politike: tre nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe një nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV).
Ndërsa tre kandidatë të tjerë vijnë nga iniciativa qytetare: Bashkimi Demokratik i Prizrenit, Srpska Narodna Sloga dhe Iniciativa Demokracia. Një kandidat tjetër është i pavarur.
Sipas raportit, “kandidatët për kryetarë të komunave në zgjedhjet e 12 tetorit 2025 të cilët kanë probleme me ligjin janë akuzuar në 12 raste, për gjithsej 10 vepra të ndryshme penale.” Këta kandidatë garojnë në gjithsej shtatë komuna.
IKD vëren një përmirësim në krahasim me zgjedhjet lokale të vitit 2021.
“Ka progres sa i përket numrit të përgjithshëm të kandidatëve me probleme me ligjin, numrit të kandidatëve me aktakuza aktive dhe numrit të komunave në të cilat garojnë kandidatët e tillë,” thuhet në raport. Po ashtu, është ulur edhe numri i partive politike që kanë kandidatë me probleme me ligjin – nga katër në vitin 2021, në dy në vitin 2025.
Megjithatë, IKD evidenton një regres. “Në anën tjetër, IKD evidenton regres sa i përket numrit të kandidatëve me dënime të formës së prerë,” thuhet në fund të raportit.
IKD vijon të avokojë për dekriminalizimin e politikës, duke kërkuar nga partitë politike dhe iniciativat qytetare që të tregojnë përgjegjësi dhe të përjashtojnë nga listat zgjedhore kandidatët me sfond penal. /Telegrafi/


