Igballe Huduti pjesë e protestave në Shqipëri, Rama ia publikon fotografinë me Ahmadinejadin e Iranit
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka vazhduar të drejtojë akuza ndaj Iranit se ka gisht me protestën e organizuar për Zvërnecin.
Në një postim në Facebook, Rama ka publikuar edhe fotografi të Igballe Hudutit, e cila ka marrë pjesë në protestë, si dhe një imazh ku ajo shihet përkrah ish-presidentit iranian Mahmoud Ahmadinejad.
Sipas Ramës, personat e përfshirë në protestë kanë lidhje me qëndrime pro-iraniane.
“Shikojini vetë dy fotot. Është i njëjti personazh i ardhur me karvanin e ‘diasporës’ së shtirur, që në emër të Allahut predikon urrejtje, thërret për kryengritje ndaj qeverisë së Shqipërisë, kërkon hakmarrje ndaj Amerikës për vëllaun e vrarë, kasapin e regjimit të Teheranit, gjeneralin famëkeq Kasem Sulejmani,” ka shkruar Rama.
Ai shtoi se personi i publikuar në foto shfaqet gjithashtu me Ahmadinejadin, të cilin e quajti “kryeshërbëtor famëkeq i ajatollahëve të errësirës”. /Telegrafi/


