Ibrahimi nga AKK: Balotazhi ka ndikuar në bllokimin e buxheteve, komunat rrezikojnë kolaps financiar
Gjysma e komunave në Kosovë kanë shkuar në balotazh, i cili do të zhvillohet më 9 nëntor, për të përmbyllur procesin e Zgjedhjeve Lokale 2025.
Në dy vitet e fundit, shumë komuna janë përballur me vështirësi në miratimin e buxheteve, ndërsa 11 prej tyre si: Viti, Lipjan, Vushtrri, Malishevë, Shtime, Junik, Zubin Potok, Gjilan, Prizren, Prishtinë dhe Suharekë, ende nuk kanë arritur ta përmbyllin vitin fiskal. Kjo situatë ka shkaktuar probleme serioze në ekzekutimin e pagesave ndaj kompanive publike dhe private, gjë që mund të sjellë deri në kolaps administrativ.
Në lidhje me këtë situatë, Telegrafi ka zhvilluar një intervistë me drejtorin ekzekutiv të Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi.
I pyetur për pasojat konkrete që po i ndjejnë komunat që ende nuk e kanë miratuar buxhetin për vitin e ardhshëm, Ibrahimi tha se mosmiratimi i buxhetit pengon planifikimin e projekteve dhe zhvillimin e kontratave të reja.
“Nëse komunat nuk mund ta miratojnë buxhetin për vitin e ardhshëm, ato nuk mund të planifikojnë me qartësi projektet, kanë vështirësi në lidhjen e kontratave të reja dhe në përgatitjen e planeve të punës për vitin fiskal 2026. Kjo mund të krijojë një situatë të re që ndikon drejtpërdrejt në administratën komunale dhe te qytetarët. Megjithatë, duhet theksuar se, edhe pse këto komuna janë në vonesë, nëse buxhetet e tyre miratohen përpara se Kuvendi i Kosovës të mbajë seancën për buxhetin e shtetit, ekziston mundësia që ato të përfshihen dhe të miratohen bashkërisht me buxhetin e përgjithshëm të Republikës së Kosovës”, tha Ibrahimi.
Ai shtoi se komunat duhet të reagojnë me shpejtësi në mënyrë që buxhetet të miratohen para se Kuvendi i Kosovës të fillojë diskutimet për vitin 2026.
“Nëse buxhetet nuk miratohen deri në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku diskutohet buxheti i përgjithshëm për vitin 2026, projektet e reja kapitale – si ndërtimi i infrastrukturës, shkollave apo investimet në shëndetësi e arsim – rrezikojnë të shtyhen ose të mos realizohen. Por nëse buxhetet miratohen në kohë nga kuvendet komunale, ato mund të përfshihen në buxhetin e shtetit, duke shmangur këto pasoja dhe duke siguruar vazhdimësinë e projekteve dhe shërbimeve”, shtoi ai.
Drejtori i AKK-së theksoi gjithashtu se Asociacioni ka kërkuar nga Ministria e Financave shtyrjen e afatit për miratimin e buxheteve, por ende nuk ka marrë përgjigje zyrtare.
“Ashtu si edhe herëve të tjera, deri më tani nuk kemi marrë përgjigje nga Ministria e Financave lidhur me kërkesën tonë. Për këtë arsye, Asociacioni i Komunave ka kërkuar shtyrjen e afatit ligjor, në mënyrë që komunat të kenë hapësirën e nevojshme për të përfunduar procedurat pas zgjedhjeve. Ky hap do të ishte i rëndësishëm për të shmangur pasojat e financimit me 1/12 dhe për të garantuar stabilitetin financiar”, theksoi Ibrahimi.
Sipas tij, procesi zgjedhor dhe balotazhi kanë ndikuar ndjeshëm në paralizimin e punës së kuvendeve komunale.
“Është e qartë se procesi zgjedhor dhe balotazhi kanë ndikuar drejtpërdrejt në punën e kuvendeve komunale. Një pjesë e madhe e vëmendjes së kryetarëve dhe asamblistëve ka qenë e fokusuar në fushatat zgjedhore dhe mobilizimin partiak. Si rezultat, proceset e rregullta të miratimit të buxheteve janë vonuar”, u shpreh ai.
Ibrahimi bëri të ditur se AKK do të angazhohet që një situatë e tillë të mos përsëritet në të ardhmen.
“Asociacioni i Komunave do të iniciojë një dialog me Ministrinë e Financave dhe Kuvendin e Kosovës për të shqyrtuar mundësinë e ndryshimeve ligjore, në mënyrë që afatet për miratimin e buxheteve të mos përkojnë me proceset zgjedhore. Po ashtu, do të propozojmë krijimin e mekanizmave fleksibilë që u japin komunave më shumë hapësirë për të përmbushur këtë obligim pa rrezikuar projektet kapitale dhe shërbimet bazike. Kjo përvojë po na mëson se, me koordinim më të mirë ndërinstitucional, mund të shmangim përsëritjen e një situate të tillë në vitet e ardhshme”, përfundoi drejtori i AKK-së.
Nëse nuk do të ketë reagim të menjëhershëm nga komunat, rrezikohet që borxhet të vazhdojnë të rriten, ndërsa projektet vendore dhe ato të financuara nga organizatat ndërkombëtare të pezullohen. /Telegrafi/


