I shpëtohet jeta 37-vjeçares në Spitalin e Mitrovicës pas ndërhyrjes emergjente
Një 37-vjeçare nga Mitrovica i është shpëtuar jeta falë ndërhyrjes emergjente të stafit të Spitalit të Përgjithshëm “Sami Haxhibeqiri”.
Pacientja B. SH. (1988) u paraqit në Shërbimin Emergjent në gjendje jashtëzakonisht të rëndë, me parametra vitalë minimalë, vetëdije të çrregulluar dhe shenja të shokut hemorragjik për shkak të humbjes së madhe të gjakut.
Pas ekzaminimeve laboratorike dhe ultrasonografike, u diagnostikua një shtatzëni ektopike cornuale, një rast i rrallë që paraqitet në 2–4% të shtatzënive jashtë mitrës, i shoqëruar me gjakderdhje masive dhe rrezik të lartë për jetën e pacientes.
Falë reagimit të shpejtë dhe koordinuar të stafit të Shërbimit Emergjent, në bashkëpunim me ekipin e Kirurgjisë, Gjinekologjisë, Anestezionit dhe shërbimet mbështetëse, u krye një laparotomi urgjente, e cila rezultoi vendimtare për shpëtimin e jetës së pacientes.
Ky rast tregon përkushtimin profesional, koordinimin multidisiplinar dhe kapacitetin e stafit të spitalit për menaxhimin e rasteve më komplekse, duke shpëtuar jetë dhe duke dëshmuar gatishmërinë e personelit mjekësor në shërbim të qytetarëve. /Telegrafi/


