Hysenagolli arrin marrëveshje me Pejën
Peja e ka marrë shumë seriozisht përforcimin e ekipit për sezonin e ardhshëm basketbollistik. Pasi transferuan njërin ndër lojtarët më të mirë vendor, Drilon Hajrizin, sot(e shtunë) i kanë përforcuar radhët e tyre edhe me një lojtarë kualitativ nga Shqipëria, ai është Endrit Hysenagolli.
Endriti më parë ka luajtur për Studentin, Partizanin, SK Tiranën dhe së fundmi për Kamzën, me të cilën është shpallur kampion në Superligën e Shqipërisë dhe ka fituar Kupën e Shqipërisë. Ai gjithashtu luan edhe për përfaqësuesen e Shqipërisë.
Ai luan në pozitën e qendrës dhe është i gjatë 204 cm. Hysenagolli ka arritur marrëveshje njëvjeçare me pejanët, ndërsa kontrata do të firmoset në ditët në vijim, kanë bërë të ditur burimet e Telegrafit.
Si duket për t’ia mbushur mendjen Endriti që të vijë në Pejë ka ndikuar edhe basketbollisti i Pejës, Gerti Shima, i cili është bashkëvendës i tij dhe njëkohësisht edhe shoku i tij.
Por, prisni edhe pak, burimet tona thonë se drejtuesit e klubit të Pejës janë duke hulumtuar edhe për lojtarë të tjerë për t’i sjellë në radhët e veta. Tani, si duket edhe pse Sigal Prishtina do të përforcohet për Ligën Ballkanike, Peja do të jetë e gatshme për t’i bërë ballë bardhekaltërve sërish. /Telegrafi/


