Hendboll: Përfaqësuesja e Kosovës U21 e pafuqishme ndaj Zvicrës
Mysafirët ishin më të mirë gjatë gjithë ndeshjes, ndërsa e mbyllën pjesën e parë me 7 gola dallim, 17:10. Ajo çka mundën të bënin kosovarët ishte barazimi i rezultatit tri herë gjatë takimit, por nuk ishin të fuqishëm për t’ju bërë ballë “Helvetikëve”, të cilët në pjesën e dytë e konfirmuan forcën e tyre, të cilën e shfaqën në atë të parë, raporton Zëri.
Te Kosova, më të dalluarit ishin Egzon Gjuka (8 gola) dhe Oltion Beshiri (6), ndërsa tek mysafirët, më të shquarit ishin Kuttel (8) e Moggi (6). Në duelin tjetër, të zhvilluar po ashtu sonte, Bjellorusia e mundi Malin e Zi, 31:25. Kosova do ta zhvillojë ndeshjen e dytë kualifikuese në kuadër të Grupit 5 ndaj Bjellorusisë të shtunën, duke filluar nga ora 19:30. Kurse, në duelin tjetër luajnë Mali i Zi dhe Zvicra (17:30).
Kjo është hera e parë që Përfaqësuesja U-21 e Kosovës e zhvillon një ndeshje zyrtare, respektivisht kualifikuese. Kjo erdhi si rezultat i pranimit të Federatës së Hendbollit të Kosovës (FHK) me të drejta të plota në IHF dhe EHF.
Kosovarët shpresojnë ta mbyllin këtë kampanjë në mënyrë të suksesshme, ndërsa në lojë i kanë edhe dy ndeshje. Ata e kanë mundësinë të përmirësohen në dy duelet e ardhshme, ndaj Bjellorusisë dhe Malit të zi. /Telegrafi/


