Helmime nga konsumimi i vezëve të mbetura prej Pashkëve në Maqedoni, mjekët apelojnë për kujdes
Dy gra të moshës 62 dhe 56 vjeç kanë kërkuar ndihmë në Shërbimin e Ndihmës së Shpejtë në Kavadar, ku janë trajtuar nën dyshimin për helmim nga vezët e mbetura të Pashkëve. Njëra prej tyre është mbajtur në repart spitalor në spitalin e Kavadarit, ndërsa tjetra, pas disa orësh nën vëzhgim mjekësor, ka kërkuar vetë të shkojë në shtëpi, pasi, siç ka deklaruar, ndihej më mirë.
Këtë informacion për AIM e konfirmoi doktori Antoan Parakeov, shef i Shërbimit të Ndihmës së Shpejtë në Kavadar.
Ratko Grkov, mjek në Ndihmën e Shpejtë, tha për AIM se edhe gjatë turnit të tij ka pasur pacientë që janë ankuar për simptoma të lehta helmimi, duke treguar se më parë kishin konsumuar vezë të Pashkëve.
Parakeov dhe Grkov apelojnë tek qytetarët për kujdes gjatë konsumimit të vezëve të mbetura nga festa e Pashkëve, me qëllim shmangien e pasojave të padëshiruara nga konsumimi i ushqimit të vjetër.


