Haxhiu takoi ambasadorin Rudolph, theksohet partneriteti strategjik Kosovë-Gjermani
U.d. Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti sot në takim Ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph.
Gjatë takimit, Haxhiu e falënderoi ambasadorin Rudolph për mbështetjen e vazhdueshme që Gjermania i ka dhënë Kosovës në procesin e shtetndërtimit, forcimit të institucioneve demokratike dhe avancimit drejt integrimit evropian.
Të dy palët theksuan rëndësinë e partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, duke vlerësuar rolin e veçantë që Gjermania ka luajtur në momente kyçe të zhvillimit të vendit.
Haxhiu vlerësoi se Gjermania mbetet një nga aleatët më të rëndësishëm të Kosovës dhe shprehu përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit bilateral në fusha me interes të përbashkët, përfshirë integrimin evropian, ekonominë, sigurinë, sundimin e ligjit, arsimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Ajo ritheksoi se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj vlerave evropiane, demokracisë dhe bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, duke vlerësuar mbështetjen gjermane si thelbësore për avancimin e mëtejmë të vendit në proceset evropiane dhe ndërkombëtare. /Telegrafi/


