Haxhiu pranon letrat kredenciale të ambasadorit të ri të Francës në Kosovë
U.d. e Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pranuar letrat kredenciale të ambasadorit të ri të Republikës së Francës në Kosovë, Jean-François Huchet.
Haxhiu i ka uruar mirëseardhje ambasadorit Huchet dhe sukses në misionin e tij diplomatik në Kosovë.
Ajo ka thënë se gjatë mandatit të tij synohet forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Francës.
“Kosova e çmon lart miqësinë dhe mbështetjen e Francës, si gjatë periudhës së luftës, ashtu edhe në vitet e shtetndërtimit”, ka shkruar Haxhiu.
Sipas saj, marrëdhëniet mes dy vendeve tashmë përfshijnë bashkëpunim në fusha të ndryshme, përfshirë politikën, ekonominë, sigurinë, arsimin dhe kulturën.
Gjatë takimit është diskutuar edhe për mundësitë e zgjerimit të këtij bashkëpunimi, veçanërisht pas marrëveshjeve të fundit ndërmjet Kosovës dhe Francës.
Haxhiu ka deklaruar se e ka siguruar ambasadorin Huchet për bashkëpunimin e saj të plotë në forcimin e mëtejshëm të partneritetit ndërmjet dy vendeve. /Telegrafi/


