Hasta la vista Burim Ramadani!
“Spain is a very important state for the future of someone”. Me fjali si kjo politikanët tanë lobojnë për Kosovën dhe derdhin lotë për futboll dhe muzikë - në Facebook - në vend që të qajnë për gjendjen ku e kanë sjellë Kosovën.
Rrallë herë merrem me atë që e bëjnë politikanët e aq më pak me atë që e thonë, por kësaj radhe s’kam si të përmbahem. Në profilin e tij në Facebook, Burim Ramadani i AAK-së nuk u kursye së vetëlavdëruari se një gazetë prestigjioze shumëgjuhëshe nga SHBA ia paska botuar një shkrim autorial, që në fakt është një shkarravinë bulevardeske, me titullin “Kosova në pritje të Spanjës” dhe se denbabaden ai me këtë paskësh lobuar tek Spanja për njohjen e Kosovës.
Pikë së pari, një hulumtim i shpejtë në internet tregon se nuk është fjala për kurrfarë gazete prestigjioze, por për një portal krejt të parëndësishëm dhe periferik indian apo nepalez. Gjëja e dytë që më shtyri të shfryhem me këtë shkrim është fjalia qesharake, gati anekdotike e fillimit të shkrimit të Burim Ramadanit nga gazeta prestigjioze që thotë: “Spanja është vend shumë i rëndësishëm për të ardhmen e dikujt” (në anglisht tingëllon akoma më qesharake: “Spain is a very important state for the future of someone”).
Një koleg i tij do të merrej me dilemën shekspiriane nëse Spanja është në Evropë apo në Europë. Banisterë të vegjël që mendojnë se po bëjnë lobim e art duke besuar seriozisht se hebrenjtë e adhurojnë Jezusin dhe se Islami është shtet. Po aq të paharrueshme do të ngelin këto e shumë të tjera thënie!
Kohëve të fundit u mor shumë joseriozisht parodia e Partisë së Fortë, por kur sheh politikanë që shkruajnë broçkulla si këto, nuk ke si të mos mendosh se të fortit janë gjithandej, bile në shumicë. Ata po na shohin, ata po na udhëheqin, ata po na e bëjnë edhe opozitën dhe bile po i mprehin dhëmbët për të ardhë në pushtet. Rrofshin të fortit!
Tutje në shkrimin e tij prestigjioz Burim Ramadani e fajëson Spanjën se po e penguaka të ardhmen e popullit të Kosovës, të ardhmen Evropiane të fëmijëve të Kosovës dhe më shumë se kaq, të ardhmen për gjenerata e gjenerata të popullit. Spanja, thotë Ramadani, nuk po lejon jetë më të mirë për popullin e Kosovës, kushte më të mira për ekonomi, tregti, kulturë e sport.
Kur i lexon këta margaritarë të Burim Ramadanit, të jepet ta lexosh ashtu në shpejtësi me një frymë edhe një herë “Hasta la vistën” e Petro Markos, të bëhet zemra Asim Voksh ose Emrush Myftar, dhe të jepet t’i hipësh tavanit për ta marrë kallashin e të shkosh në malet e Spanjës për t’i shpallur luftë mbretit Huan Karlos apo kryeministrit Mariano Rajoy.
Asokohe kur vëllezërit shqiptarë merrnin pjesë në Luftën Civile të Spanjës, Qeveria komuniste atje, e ndodhur në rrezik të madh, lëshoi kushtrimin: “Popuj të botës, fashizmi po mbyt në gjak popullin spanjoll. Ndihmonani”! Kurse, Burim Ramadani i kohëve moderne çirret: “Popuj të botës, Spanja po e mbytë në gjak të ardhmen e Kosovës. Ndihmonani”. Të vjen ta urresh veten që nuk ke ndjekur shkollën “Asim Vokshi” në Kodrën e Trimave apo nuk ke jetuar në rrugën “Emrush Myftari”.
Të gjitha fajet i ka Spanja vëllezër e motra kosovarë. Spanja është fajtore për vjedhje në tenderët milionësh; Spanja është fajtore për pasuritë milionëshe të krijuara brenda 10 vjetësh nga politikanët e Kosovës; Spanja është fajtore për largimin e investitorëve të jashtëm nga Kosova për shkak të rrezikut nga haraçi; Spanja është fajtore për korrupsionin me themel të sistemit gjyqësor në Kosovë; Spanja është fajtore pse politikanët e Kosovës i bëjnë gratë e veta profesoresha kundër çdo rregulli; Spanja është fajtore pse djemtë e politikanëve terrorizojnë shtetin e Kosovës; Spanja është fajtore për sistemin e farefisit dhe akraballëkut në çdo pore të jetës në Kosovë; Spanja i ka fajet për gjithçka!
Spanja është fajtore për çdo të keqe që po na ndodhë në Kosovë dhe meqenëse politikanët aktualë në pushtet në Kosovë nuk kanë mundur ta ndërrojnë këtë ndikim negativ të Spanjës, atëherë është koha që Burim Ramadani të vijë në pushtet dhe ta përdorë lobimin e tij brilant karshi Spanjës për ta bërë Kosovën parajsë.
Çdo njeri në Kosovë e din dhe çdo i dyti e merr guximin të pranojë se shkaktarë të vërtetë të ngecjes ekonomike, prosperuese, kulturore e evropiane të Kosovës janë dy elemente:
1. Dhuna dhe pushtimi i gjatë degradues nga Serbia;
2. Korrupcioni, kriminaliteti, haraçi, dhuna dhe babëzia e politikanëve të Kosovës së pasluftës ku bën pjesë edhe Burim Ramadani.
Por, për të qenë absurdi komplet në paçavurën e tij në gazetën “prestigjioze”, Burim Ramadani pohon se luftën, tentim-gjenocidin, shkeljen e të drejtave të njeriut, hegjemoninë dhe sundimin përmes forcës që Serbia e ka shkaktuar në Kosovë, sigurisht duhet plotësisht ta shmangim dhe të mos e marrim në konsideratë kur flasim për të ardhmen.
Kjo recetë nuk do koment! Duhet ta shfajësojmë Serbinë, por duhet t’ia vëmë këtë barrë Spanjës! Duhet pra ta fajësojmë Spanjën për të këqijat që e kanë kanosur Kosovën, e në veçanti për arsyen se nuk po mund të marrim pjesë në garat ndërkombëtare të futbollit, sikur i kemi vënë në terezi të gjitha gjërat e tjera dhe na ka ngelur vetëm të derdhim lotë për topa.
Por, i dashur milet, nuk kemi pse ta harrojmë dhunën dhe krimet e Serbisë në Kosovë e as dhunën dhe krimet e politikanëve të pasluftës. Vetëm duke i njohur këto dy probleme ne mund ta shohim drejt e në sy ndritshëm të ardhmen. Përndryshe, jemi duke e goditur samarin në vend të gomarit.
Po të isha unë kryeministri i Spanjës, sot, pasi ta kisha lexuar këtë shkrim të Burim Ramadanit në gazetën “prestigjioze” shumëgjuhëshe ndërkombëtare, me urgjencë do të inicioja amendamentimin e Kushtetutës së Spanjës me një nen që pamundëson njohjen e Kosovës shtet të pavarur përderisa ky paloshtet ka brenda vetes politikanë të tillë që pohojnë se Spanja është një vend i rëndësishëm për të ardhmen e dikujt tjetër përveç Spanjës dhe nuk përmendin gjëkundi shkaqet e vërteta të varfërisë së Kosovës.
Kryeministrit të Spanjës pas leximit të këtij shkrimi mund edhe t’i vijë për të sharë dhe si model mund ta marrë askënd tjetër përveç Ernest Lumën, bashkëpartiakun e Burim Ramadanit i cili në Facebook shanë si mos më keq.
Prandaj, Spanja është e rëndësishme për Kosovën vetëm kur t’i kemi degdisur në terezi punët tona të brendshme që janë shkaktarët e njëmendtë të varfërisë dhe prapambeturisë së Kosovës, vetëm kur t’ua bëjmë të ditur politikanëve të fortë të Kosovës se me fortësinë e tyre komike duhet të merren vetëm gjykatat dhe komeditë. Tek atëherë mund ta gjuajmë topin e futbollit në Evropë dhe ka gjasa të sigurta se do të mbërrijë edhe në Spanjë, edhe atë duke kënduar.


