Hamza tha se me qeverisjen e tij do të rriten pagat dhe pensionet, Murati i thotë se PDK nuk ka votuar buxhetin për vitin 2026
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, në një postim të fundit në rrjetet sociale deklaroi se një prej vendimeve të para të partisë së tij do të jetë rritja e pagave dhe pensioneve në vend.
Ai theksoi se qytetarët kërkojnë parashikueshmëri dhe qëndrueshmëri në këtë drejtim, duke theksuar nevojën që pagat dhe pensionet të jenë të përhershme dhe të paguhen në kontinuitet, jo vetëm si ndihma të njëhershme.
“Qytetarët duan parashikueshmëri dhe qëndrueshmëri. Prandaj, prej vendimeve të para ka me qenë rritja e pagave, rritja e pensioneve për të gjitha kategoritë”, tha Hamza.
Mirëpo, ky postim ka nxitur një reagim të menjëhershëm nga Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati. Në reagimin e tij, Murati thekson se për të rritur pagat dhe pensionet, është i nevojshëm miratimi i buxhetit, raporton Telegrafi.
Ai kujtoi se as PDK-ja nuk e ka votuar Ligjin e Buxhetit për vitin 2026, duke rrezikuar stabilitetin financiar të shtetit.
“Është e papranueshme që pavarësisht se Bedri Hamza ka qenë ministër i Financave, PDK-ja nuk reflektoi dhe nuk e votoi buxhetin, duke e lënë shtetin pranë kolapsit financiar. Për të realizuar çdo rritje pagash dhe pensionesh, buxheti duhet të jetë i miratuar”, shkroi Murati. /Telegrafi/


