Grabitje në sheshin “Nëna Tereza” në Prishtinë – vidhet kasaforta me para dhe telefona nga filiali i një operatori telefonik
Një rast grabitje është raportuar në Prishtinë rreth orës 03:15. Rasti ka ndodhur në një nga filialet e operatorit telefonik, në sheshin "Nëna Tereza" në Prishtinë.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë, Agron Borovci.
Borovci bëri të ditur se sipas informatave fillestare, janë ngritur dyshimet se tre persona të maskuar kanë sulmuar sigurimin fizik jashtë objektit dhe më pas kanë depërtuar brenda, prej nga dyshohet se kanë marrë një kasafortë që dyshohet të përmbante para të gatshme, telefona të rinj dhe mbushje telefonike.
“Të dyshuarit janë larguar në drejtim të panjohur. Nuk raportohet për persona të lënduar. Policia ka dalë në vendngjarje ndërsa me rekomandimin e prokurorit kujdestar rasti është iniciuar si “Grabitje””, ka thënë Borovci.
Ai ka shtuar se aktualisht policia është duke ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore dhe operacionale për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve.
“Ftojmë qytetarët që posedojnë informacione relevante për rastin të bashkëpunojnë me policinë përmes linjës falas 192 apo përmes aplikacionit digjital Lajmëro Policinë”, ka thënë Borovci. /Telegrafi/


