Google do të prezantojë syzet inteligjente në vitin 2026
Google po planifikon të prezantojë syze të zgjuara (smart glasses) në vitin 2026, pas një përpjekjeje të mëparshme që përfundoi me dështim.
Gjiganti i teknologjisë krijoi shumë pritshmëri në vitin 2013 kur prezantoi Google Glass, të cilat disa i panë si teknologjinë e së ardhmes, edhe pse kishin pamje të pazakontë me një ekran të madh mbi syrin e djathtë.
Google tërhoqi atë produkt në vitin 2015, vetëm më pak se shtatë muaj pasi u prezantua në Britaninë e Madhe. Tani, kompania planifikon rikthim në treg me syze të reja që duken shumë më mirë.
Teknologjia e re e Google do t’i lejojë përdoruesit të interaktojnë me produktet e tyre AI, si p.sh. chatbot‑in Gemini.
Google planifikon të lëshojë dy variante të ndryshme — një pa ekran që ofron asistencë përmes zërit dhe sensorëve, dhe një tjetër me ekran të integruar direkt në syze.
Edhe pse Google tha se modeli i parë do të jetë i disponueshëm në 2026, kompania nuk ka dhënë ende detaje të hollësishme për formën e saktë apo specifikat e këtij produkti.
Eksperti i teknologjisë Paolo Pescatore tha për BBC se Google duhet të shmangë gabimet e mëparshme që çuan në dështimin e Google Glass.
Google gjithashtu do të përballet me konkurrencën nga Meta, e cila këtë vit ka prezantuar syzet e veta të mençura të fuqizuara me inteligjencë artificiale, duke bashkëpunuar me marka si Ray‑Ban dhe Oakley. /Telegrafi/


