Please enter at least 3 characters.

Goditet rrjeti i dyshuar për kontrabandë të deleve në Ferizaj - kapen 108 sosh

Policia e Kosovës ka realizuar një operacion në fshatin Rakaj të Ferizaj, ku dyshohej për kontrabandë të kafshëve të imta, kryesisht dele.

Sipas njoftimit, operacioni është zhvilluar më 19 maj 2026 nga Policia Kufitare Jugu, në koordinim me njësitë relevante dhe me inspektorët e AUV-it.

“Pas pranimit të informatës nga SP-Ferizaj, janë realizuar kontrolle të koordinuara në pronën e të dyshuarit L. K. dhe në dy lokacione tjera”, thuhet në njoftim.

Gjatë kontrollit janë gjetur gjithsej 108 krerë dele, prej të cilave rreth 100 nuk kishin numra matrikuli dhe as dokumentacion përkatës për origjinën apo kontrollin veterinar.

Në dy lokacionet e tjera, sipas inspektorëve të AUV-it, nuk janë evidentuar shkelje ligjore.

Për rastin është njoftuar edhe Prokuroria e Shtetit, e cila ka rekomanduar që rasti të trajtohet si kundërvajtje doganore.

“Rasti i dorëzohet Doganës së Kosovës në Han të Elezit për procedim të mëtejshëm”, thuhet më tej.

Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës dhe krimit ndërkufitar, duke paralajmëruar se hetimet në këtë rast po vazhdojnë në koordinim me institucionet përkatëse. /Telegrafi/