Please enter at least 3 characters.

GloRilla akuzohet për drogë pasi policia zbulon marihuanë gjatë hetimit të një vjedhjeje në shtëpinë e saj

Reperja e njohur dhe e nominuar për çmimin ‘Grammy’, GloRilla, është përballur me akuza për posedim droge pas një ngjarjeje të pazakontë në shtëpinë e saj në Georgia.

Policia ndërhyri për të hetuar një vjedhje me thyerje dhe përfundoi duke zbuluar një sasi të konsiderueshme marihuane në banesën e saj.

Sipas autoriteteve, tre persona kishin hyrë me forcë në shtëpinë e GloRilla-s, ndërsa një banor i armatosur kishte qëlluar ndaj tyre, shkruan CNN.

Foto: Screenshot

Edhe pse të dyshuarit u larguan pa lënë të lënduar, hetimi çoi në një kontroll të brendshëm të shtëpisë, ku u gjetën substanca narkotike në dhomën kryesore.

GloRilla nuk ishte e pranishme në momentin e ngjarjes, por u akuzua më pas për posedim të rëndë të marihuanës dhe një substance të kontrolluar të klasit 1.

Ajo u dorëzua vullnetarisht në polici dhe u lirua të njëjtën ditë me kusht.

Në një reagim në rrjetin X, reperja shprehu zhgënjimin e saj, duke thënë: “Shtëpia ime u grabit dhe në fund unë jam ajo që arrestohem!”.

Autoritetet nga ana tjetër shprehen se po punojnë për të identifikuar autorët e grabitjes, ndërsa e konsiderojnë zbatimin e ligjit si të domosdoshëm në të gjitha drejtimet. /Telegrafi/