Gjini kritikon Qeverinë për energjinë: Po shesim qymyr, ndërsa blejmë rrymë 100 fish më shtrenjtë
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka kritikuar ashpër qeverisjen e vendit për politikat në sektorin energjetik, duke akuzuar Qeverinë se ka dështuar të sigurojë prodhim të mjaftueshëm vendor të energjisë.
Gjini, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka ngritur pyetjen nëse Kosova dëshiron t’u ngjajë vendeve evropiane apo atyre që ai i cilëson si “vende të botës së tretë”.
Ai ka përmendur anulimin e projektit energjetik “Kosova C” dhe prishjen e projektit me kompaninë ContourGlobal, duke thënë se në të dyja rastet vetëm AAK-ja kishte reaguar fuqishëm.
“Kjo qeveri ka gjetur arsyetime nga më bizaret për të mos prodhuar energji në Kosovë. Tani shesim qymyr e blejmë energji, madje 100 fish më shtrenjtë”, ka shkruar Gjini.
Sipas tij, një situatë e tillë është karakteristikë e vendeve të pazhvilluara, ndërsa përgjegjësinë kryesore ia atribuon qeverisjes.
“Kështu u ndodh vendeve më të prapambetura në botë, atyre që quhen vendet e botës së tretë”, ka deklaruar ai.
Gjini ka thënë se problemet nuk lidhen me qytetarët, por me mënyrën e qeverisjes, duke e akuzuar Qeverinë për politika të dëmshme dhe korrupsion.
Në fund të reagimit, kryetari i AAK-së ka paralajmëruar se, sipas tij, situata mund të përkeqësohet edhe më tej.
“Po duket se ende asgjë nuk kemi parë. Ky është karakteri i qeverisjes që 6 vite. Dhe as nuk iu vjen turp!”, ka përfunduar Gjini. /Telegrafi/


