Gjilani nis procesin e rindërtimit të zonave kadastrale, Hyseni: Rrit sigurinë juridike të pronës
Komuna e Gjilanit ka nisur procesin e rindërtimit të zonave kadastrale, duke filluar me takime informuese me qytetarët për zbatimin e këtij projekti.
Sipas njoftimit, procesi përfshin zonat kadastrale Livoç i Epërm, Bresalc, Shillovë dhe Dobërçan, si dhe lagjet Arbëria dhe Dheu i Bardhë.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, e ka cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm për përditësimin e të dhënave pronësore dhe forcimin e sigurisë juridike.
“Po fillojmë një proces shumë të rëndësishëm për komunën tonë: rindërtimin e zonave kadastrale, i cili synon përditësimin e të dhënave pronësore dhe rritjen e sigurisë juridike për pronën tuaj”, ka deklaruar Hyseni.
Ai ka bërë të ditur se takimi i parë informues do të mbahet në Livoç të Epërm, në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Vatra e Diturisë”, duke filluar nga ora 19:00.
“Ftojmë të gjithë banorët e Livoçit të Epërm dhe fshatrave përreth që të na bashkohen, të informohen drejtpërdrejt dhe të kontribuojnë në këtë proces të rëndësishëm. Pjesëmarrja juaj është kyçe për një proces të saktë dhe transparent”, ka shtuar ai.
Nga Komuna e Gjilanit u bëhet thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në takimet informuese, me qëllim që të informohen dhe të kontribuojnë në sigurimin dhe saktësimin e pronave të tyre. /Telegrafi/


