Gjesti human i Labit për djalin e Shpat Kasapit - do të ndajë 150 euro nga çdo dasmë dhe mbrëmje muzikore për Roelin
Këngëtari i njohur shqiptar, Labinot Tahiri, ka bërë një deklaratë emocionuese përmes një postimi në Instagram, ku ka shprehur dashurinë dhe respektin për mikun dhe kolegun e tij të ndjerë, Shpat Kasapi.
Tahiri ka bërë të ditur se ka vendosur të ndajë një pjesë të të ardhurave të tij nga mbrëmjet muzikore dhe dasmat për djalin e Shpatit, Roelin, duke theksuar se ky është një premtim që e ka mbajtur në zemër prej kohësh.
Në postimin e tij, Labi shprehet se ndihma nuk duhet të mbetet vetëm në fjalë, por të shndërrohet në vepra konkrete për familjen e artistit që vazhdon të jetojë në kujtimet e publikut.
Postimi i plotë i Labit (pa ndërhyrje):
"Për djalin e artistit që jeton përgjithmonë në zemrat tona, edhe pse sot nuk është më mes nesh, Shpat Kasapit.
Shpatin e kam pasur shok e koleg, si shumë artistë të tjerë.
Djalit të tij i kam ndihmuar edhe privatisht, por sot kam vendosur diçka që do ta bëj me zemër.
Nga ky sezon e tutje, dhe për sa kohë Zoti ma jep mundësinë të punoj, nga çdo mbrëmje vjetore -muzikore dhe dasmë do t’i ndaj nga 150 euro për Roelin, për shëndetin e tij dhe për ditët e jetës së tij.
Numri i mbremjeve te mia është i madh me shumë se 50 ne kete sezone , e si ne Kosove dhe në evrope e Amerike dhe numrin e dasmave dhe te mbremjeve e dimë ne si ekip, organizatoret e po ashtu edhe ATK-ja e Kosovës, sepse çdo gjë e deklaroj me rregull.
Të hollat do t’i dërgohen zonjës Selvie, nënës së Roelit, e cila kujdeset për të me gjithë shpirt, bashkë me Zotin dhe njerëzit zemërmirë.
Zonja Selvie dhe nëna e Shpatit, mos u mërzitni për anën materiale. Sa të jemi ne, nuk do të jeni vetëm.
Këtë fjalë ia pata dhënë mikes sime, motrës sonë Big Mama, dhe shokut të Shpatit, Xenit, se një ditë do ta merrja këtë vendim. Sot po e mbaj atë premtim.
Kolegë e kolege, e di që të gjithë e kemi dashur Shpatin.
Ende ia këndojmë këngët, e kujtojmë me mall dhe flasim për të nëpër intervista, koncerte e mbrëmje.
Por, përveç fjalëve, ta tregojmë dashurinë edhe me vepra.
Ta ndihmojmë familjen e tij sa herë të kemi mundësi. Besoj se kjo është dhurata më e bukur që mund t’ia bëjmë kujtimit të Shpatit.
E di që familjen e Shpatit për djalin Roelin do ta ndihmojnë edhe shumë artistë siq e kanë ndihmuar Ermal Fejzullahu, Big Mama, Burak Vehapi, Pandora, Labi Gashi i cili e ka perkah tere jeten Shpatin dhe shumë te tjere, se bashku me mergimtarë të cilët me kanë shenuar edhe privatisht.
Ju falënderoj të gjithëve.Me dashuri për Roelin dhe familjen e po ashtu edhe për secilin nga ju,
Labi, Kosovë e Shqipërisë". /Telegrafi/


