Gjeometritë e reja të pushtetit global
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e quajti atë “nëna e të gjitha marrëveshjeve”, ndërsa kryeministri indian Narendra Modi e cilësoi si “historike”. Nëse realizohet, marrëveshja e madhe tregtare Bashkim Evropian-Indi mund të ndikojë pothuajse dy miliardë njerëz të cilët jetojnë në ekonomi që përbëjnë rreth një të katërtën e Prodhimit të Brendshëm Bruto global dhe një të tretën e tregtisë botërore. Si shumica e pakteve të mëdha tregtare midis partnerëve të ndryshëm dhe me interesa konkurruese, negociatat kanë qenë të gjata dhe komplekse, duke u shtrirë ne më shumë se dy dekada. Kjo marrëveshje pritet të eliminojë ose të ulë tarifat për gati 97 përqind të mallrave.
Përtej tregtisë, ajo sinjalizon bashkëpunim ekonomik më të thellë dhe një zhvendosje strategjike, pasi të dyja palët kërkojnë të diversifikojnë partneritetet mes rritjes së tensioneve globale tregtare dhe marrëdhënieve në zhvillim me fuqi të tjera të mëdha. Historikisht, këto bisedime nisën për herë të parë në vitin 2007, gjatë një periudhe lulëzimi të marrëveshjeve të tregtisë së lirë, por u bllokuan në vitin 2013 për shkak të mosmarrëveshjeve mbi qasjen në treg dhe tarifat. Ato rifilluan në korrik 2022, në sfondin e tensioneve në rritje në marrëdhëniet BE-Kinë dhe të rivlerësimit evropian të sigurisë ekonomike pas pushtimit rus të Ukrainës.
Me kalimin e kohës, konteksti strategjik i sigurisë ekonomike është intensifikuar: BE-ja tani i trajton varësitë ekonomike, veçanërisht në energji, minerale kritike, gjysmëpërçues, farmaceutikë dhe teknologji të pastra, si rreziqe strategjike për sigurinë. BE-ja është një nga partnerët më të mëdhenj tregtarë të Indisë, me tregtinë dypalëshe të mallrave që ka kaluar 120 miliardë euro në vitin 2024. Eksportet e BE-së drejt Indisë, rreth 55 miliardë euro, mbeten afërsisht në nivelet para pandemisë, ndërsa eksportet indiane drejt BE-së janë rritur ndjeshëm, duke u shtuar me më shumë se 70% midis viteve 2018 dhe 2023 dhe duke arritur në 71 miliardë euro në vitin 2024, çka bën që BE-ja të ketë një deficit tregtar në mallra. India përbën vetëm rreth 2.5 përqind të tregtisë së BE-së, por për Indinë BE-ja është partneri i saj më i madh tregtar për mallra, më shumë se ShBA-ja apo Kina.
BE-ja shet kryesisht makineri, pajisje transporti dhe kimikate, ndërsa India eksporton kimikate, metale, minerale dhe tekstile. India pritet të përfitojë nga eksportet e tekstileve, veshjeve, produkteve inxhinierike, lëkurës, këpucëve, artizanateve dhe produkteve të detit, ndërsa BE-ja pritet të përfitojë nga eksporti i verës, makinave, kimikateve dhe produkteve farmaceutike. Tarifat për makinat evropiane, aktualisht deri në 110 përqind, do të bien në 10 përqind nën një kuotë prej 250 mijë automjetesh, duke hapur mundësi të rëndësishme tregu për industrinë e automobilave. Gjermania dhe Franca parashikohen të jenë ndër përfituesit më të mëdhenj. Tregtia e shërbimeve është zgjeruar ndjeshëm, me eksportet indiane drejt BE-së që janë dyfishuar në 44 miliardë dollarë deri në vitin 2024, ndërsa eksportet e BE-së drejt Indisë arritën në 34 miliardë dollarë, të nxitura kryesisht nga shërbimet e konsulencës dhe IT-së.
Megjithatë, marrëveshja nuk është ende e përfunduar. Nënshkrimi formal do të vijë vetëm pas miratimit nga Parlamenti Evropian dhe shtetet anëtare dhe ky proces mund të jetë i vështirë. Marrëveshjet e kaluara tregojnë rrezikun: Marrëveshja Gjithëpërfshirëse për Investime BE-Kinë (CAI) e dhjetorit 2020 u pezullua pas tensioneve politike, ndërsa TTIP BE-ShBA e vitit 2016 dështoi plotësisht. Edhe marrëveshja BE-Mercosur, e nënshkruar në vitin 2026 pas dekadash negociatash, tani përballet me shqyrtim ligjor që mund të vonojë ratifikimin me muaj apo edhe vite. Marrëveshja duhet të ketë të bëjë me investimet po aq sa me tregtinë: BE-ja mban rreth 140 miliardë euro stok të investimeve të huaja direkte (IHD) në Indi, ndërsa investimet indiane në Evropë, rreth 10 miliardë euro, janë në rritje.
Duke përmirësuar transparencën, duke ulur pengesat arbitrare dhe duke qartësuar rregullat e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, një MTL (Marrëveshje e Tregtisë së Lirë) do të zvogëlonte rrezikun e politikave, do të thellonte zinxhirët e furnizimit dhe do të mbështeste rrjedhën afatgjatë të teknologjisë, kapitalit dhe kapaciteteve industriale. Partneriteti duhet të përqendrohet më pak në një marrëveshje të vetme madhore tregtare dhe më shumë në fushat thelbësore të sigurisë ekonomike, minerale kritike, teknologji të pastra, gjysmëpërçues, sisteme digjitale dhe zinxhirë furnizimi të qëndrueshëm, me MTL-në që shërben vetëm si një mjet brenda një kuadri më të gjerë, modular, të bashkëpunimit në investime dhe industri mes partnerëve me mendësi të ngjashme.
Kjo mund të mos arrijë marrëveshjen “maksimalisht ambicioze” që dikur imagjinohej, por gjithnjë e më shumë shihet si një themel dhe jo si pikë përfundimtare, ndërsa BE-ja kërkon lidhje më të thella me një ekonomi të madhe dhe me rritje të shpejtë. Rritja e proteksionizmit, cenueshmëritë e zinxhirëve të furnizimit dhe tensionet tregtare me Shtetet e Bashkuara, si edhe mbikapaciteti i Kinës, po i shtyjnë të dyja palët ta shohin MTL-në si një politikë sigurimi për stabilitet afatgjatë strategjik, jo thjesht si një mjet për përfitime tregtare. Për Evropën, India spikat si një partner i rrallë që kombinon shkallën, rritjen dhe autonominë strategjike në një mënyrë që është njëkohësisht ekonomikisht domethënëse dhe politikisht e besueshme.
Lidhjet ekonomike BE-Indi janë pjesë e përpjekjeve më të gjera për ndërlidhje, siç është Korridori Ekonomik Indi-Lindja e Mesme-Evropë, duke theksuar nevojën për një lidership më proaktiv evropian në tregti, standarde dhe lidhje infrastrukturore. Pavarësisht pengesave të brendshme dhe të jashtme, përparimi në rregulla më të thjeshta për tregtinë dhe investimet mbetet jetik për prosperitetin global. Modele tregtare si ky mund të tregojnë të ardhmen e negociatave tregtare: grupe më të vogla partnerësh me mendësi të ngjashme që ndjekin përfitime të synuara në fusha të avantazhit krahasues brenda afateve të përcaktuara, një qasje që mund të formësojë edhe mënyrën se si do të evoluojë tregtia ndërkombëtare.


