Gjashtë betejat që do ta vendosin finalen e Ligës së Kampionëve mes PSG-së dhe Arsenalit
Finalja e shumëpritur e Ligës së Kampionëve të shtunën në Budapest mes Arsenalit dhe Paris Saint-Germain pritet të jetë përplasje klasike stilesh. Arsenali ka mbrojtjen më të mirë në garë, por pyetja kryesore është nëse ekipi i Mikel Artetës mund ta frenojë një nga repartet më të talentuara ofanzive në Europë.
PSG ka shënuar 44 gola në rrugën drejt “Puskas Arena” dhe, pas mënyrës si e çmontoi mbrojtjen e Interit në finalen e vitit të kaluar, kampioni në fuqi shihet favorit përballë një klubi që ende nuk e ka fituar këtë trofe.
Më poshtë janë gjashtë duelet kyçe që mund ta vendosin finalen:
1) Bukayo Saka vs Nuno Mendes
Saka nuk ka pasur sezon perfekt për shkak të lëndimeve, por kur është në formë, Arsenali ndryshon krejt në sulm. Ai është i rrezikshëm në një kundër një dhe punon shumë edhe pa top, ndaj mund të provojë ta kufizojë edhe daljet ofens ive të Mendes. Problemi është se Mendes po konsiderohet aktualisht si mbrojtësi i majtë më i mirë në botë dhe e ka treguar këtë edhe kundër Bayernit.
2) Khvicha Kvaratskhelia vs Jurrien Timber
Arsenali ka nevojë jetike që Timber të jetë i gatshëm, sepse ai shihet si shpresa më e madhe për ta frenuar “Kvaradonën”. Kvaratskhelia ka qenë vendimtar që nga ardhja te PSG dhe ka hyrë në histori duke shënuar ose asistuar në 7 ndeshje radhazi në fazën me eliminim të Ligës së Kampionëve. Edhe nëse Timber starton, mungesa e minutazhit që nga marsi e bën misionin shumë të vështirë, sidomos me Ben White jashtë.
3) Leandro Trossard vs Warren Zaire-Emery
PSG ka dilemë të madhe me Achraf Hakimin, i cili po vuan nga një problem muskulor dhe raportohet se ka pak gjasa të startojë. Nëse mungon, Zaire-Emery mund të luajë përsëri në të djathtë të mbrojtjes. Ai ka bërë punë solide aty, por Trossard do të ishte shumë më i kënaqur të përballej me një mesfushor 20-vjeçar në atë rol sesa me Hakimin në 100%.
4) David Raya vs Matvey Safonov
Nuk është duel direkt, por portierët shpesh vendosin finalet. Këtu pritet të shihet një diferencë e dukshme cilësie: Raya është stabil dhe i sigurt, ndërsa Safonov konsiderohet pika më e dobët e një PSG-je pothuajse perfekte. Luis Enrique ndryshoi hierarkinë te porta dhe u detyrua të mbështetet te Safonov dhe në finale, një moment i vetëm mund të jetë vendimtar.
5) Ousmane Dembele vs qendërmbrojtësit e Arsenalit
Dembele thotë se do të jetë 100% i gatshëm dhe kjo është lajm i keq për Arsenalin, sepse ai ishte vendimtar kundër tyre sezonin e kaluar. Nëse ka një dyshe që mund ta menaxhojë, janë Saliba–Gabriel: partneriteti i tyre është forcuar shumë dhe është arsye kryesore pse Arsenali ka qenë i pathyeshëm në Ligën e Kampionëve këtë sezon.
6) Declan Rice vs Vitinha
Rice vjen si lider i mesfushës pas titullit në Ligën Premier dhe përmendet edhe për Topin e Artë, por për ta justifikuar atë status duhet të fitojë përballjen me Vitinhan, i konsideruar nga shumë si mesfushori më i mirë aktualisht. Vitinha nuk ka fizikën e Rice, por ka inteligjencë, vizion dhe pasim më superior. Për më tepër, ai nuk është i vetëm: Joao Neves dhe Fabian Ruiz e bëjnë mesfushën e PSG-së jashtëzakonisht të vështirë për t’u dominuar./Telegrafi/


