Please enter at least 3 characters.

Gërmime për të pagjeturit në Kalludër, Peci: “Të vërtetën nuk e fsheh asgjë”

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, së bashku me nënkryetarin Enis Osmani, ka vizituar sot Kalludrën e Zubin Potokut, ku po zhvillohen gërmime në kërkim të trupave të personave të pagjetur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Përmes një reagimi, Peci ka theksuar se çështja e personave të pagjetur dhe krimet e luftës vazhdojnë të mbeten një nga plagët më të dhimbshme të shoqërisë kosovare.

“Pas më shumë se dy dekadash, Kosova ende i ka varret e hapura dhe plagët e luftës që vazhdojnë të kullojnë”, ka shkruar Peci.

Ai ka kritikuar Serbinë për, siç ka thënë, mungesën e kërkimfaljes për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, duke theksuar se Mitrovica ka paguar një çmim të lartë për lirinë.

“Edhe pas më shumë se dy dekadash, Serbia nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera. Mitrovica e ka paguar çmimin më të lartë të lirisë”, ka deklaruar ai.

Duke iu referuar veriut të Kosovës, Peci ka thënë se gjurmët e pranisë dhe historisë shqiptare në këto troje dëshmohen edhe përmes varrezave.

“Por të vërtetën nuk e fsheh asgjë. Gjaku nuk humbet, e as dheu nuk lejon mbulimin e krimit”, ka shkruar Peci.

Kryetari i Mitrovicës ka kujtuar edhe dhimbjen e familjarëve të personave të pagjetur, të cilët për afër tri dekada kanë jetuar me pritjen, dhimbjen dhe kërkimin e më të dashurve të tyre.

Ai ka theksuar se familjet vazhdojnë të ruajnë shpresën se një ditë do të mund të vendosin lule mbi varret e familjarëve të tyre.

Gërmimet në Kalludër po zhvillohen në kuadër të përpjekjeve për të zbardhur fatin e personave që ende figurojnë të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë. /Telegrafi/