Please enter at least 3 characters.

Gazi amerikan, Rukiqi: Çdo bashkëpunim strategjik me Amerikën nënkupton largim nga ndikimi rus në energji dhe nga teknologjitë kineze 5G

Debati për Gazin e Lëngshëm Amerikan është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes.

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për deputet, Berat Rukiqi thekson se gazi amerikan nuk është vetëm çështje ekonomike, por edhe një element i rëndësishëm i sigurisë kombëtare dhe pozicionimit gjeopolitik të Kosovës në dekadat e ardhshme.

Lexoni të plotë postimin e tij:

Historia me Gazin e Lëngshëm Amerikan ka filluar në Administratën e parë Trump, si pjesë e një politike gjeopolitike me dy shtylla:

Largim nga teknologjitë 5G kineze;

Largim nga burimet e energjisë ruse dhe proxy-t e saj.

Në rajon, qëllimi ka qenë shfrytëzimi i Greqisë, në kuadër të një etape të re të marrëdhënieve me Amerikën, dhe prej aty të shtrihej infrastruktura e nevojshme për furnizime me LNG për vendet e cenuara nga ndikimi rus: Maqedonia e Veriut, Rumania, Bullgaria, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia.

Fillimisht, çështja e LNG-së u përfshi në Marrëveshjen e Washingtonit, e më pas në disa vizita të kompanive amerikane, EXIM Bankës dhe Korporatës Financiare Zhvillimore Amerikane në rajon, përfshirë edhe Kosovën.

Kjo u është thënë qartë kompanive nga Kosova dhe secilës qeveri: çdo bashkëpunim strategjik me Amerikën nënkupton largim nga ndikimi rus në energji dhe nga teknologjitë kineze 5G.

Në vizitën time, atëherë si Kryetar i Odës Ekonomike, në selinë e DFC-së dhe në takimet me zyrtarët e EXIM Bankës në tetor 2020, na është bërë e qartë se Administrata Trump I do të bënte çmos që Kosovës t’ia financonte edhe gazifikimin për nevoja të industrisë dhe ngrohjes, edhe infrastrukturën për t’u lidhur me portin e Alexandroupolis.

Madje, për t’i dhënë Kosovës përparësi strategjike, furnizimi potencial i Serbisë me LNG do të kalonte përmes Kosovës. Në të njëjtën pako ishte edhe njohja nga Greqia.

Në vazhdën e kësaj politike gjeostrategjike amerikane në rajon, në kuadër të programit Compact të MCC-së, pas të gjitha studimeve, ishte planifikuar dhe dakorduar përkrahja amerikane prej 200 milionë eurosh për infrastrukturën e LNG-së, përfshirë edhe centralin me Gaz Amerikan.

Me ardhjen e Qeverisë Kurti në vitin 2021, pa ndonjë arsye të fortë ekonomike dhe pa u mbështetur në ndonjë fizibilitet serioz, Qeveria e refuzoi Gazin Amerikan, për t’i investuar 200 milionë euro në bateri.

Fast forward: tani, me Administratën e re Trump, kjo çështje është riaktualizuar.

Prapë e gjithë Evropa Lindore dhe Qendrore janë në garë për LNG, për t’u larguar nga ndikimi rus. Dhe prapë, të vetmit refuzues jemi ne. E tha me gojën e vet Kryeministri në detyrë.

Pse?

Nuk ka asnjë analizë ekonomike e as teknike për t’i thënë JO. Tek e fundit, siguria kombëtare nuk kërkon shumë numra. Gazi Amerikan është shtyllë e sigurisë kombëtare të Kosovës për dekadat në vijim.

Çka nëse e pranon Serbia, e ne mbetemi vrima e zezë e rajonit - të vetmit jashtë kësaj ombrelle të rëndësishme strategjike?

Në çdo rrethanë, çdo koalicion qeverisës dhe çdo program qeverisës duhet të kushtëzohet me projektin e centralit me Gaz të Lëngshëm Amerikan. /Telegrafi/