Forcohet bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë dhe FAO-së për zhvillim të qëndrueshëm rural
Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Imri Demelezi ka pritur në takim përfaqësuesit e FAO-së, Ekrem Yazici dhe Daniela Mangione, nga Zyra Rajonale në Budapest.
Gjatë këtij takimi, ata kanë diskutuar mbi forcimin dhe vazhdimin e bashkëpunimit të shkëlqyer ndër vite ndërmjet FAO-s dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, si dhe mbi planet konkrete për bashkëpunim e deritashëm për sektorin e pylltarisë.
“FAO ka qenë dhe vazhdon të jetë një partner i rëndësishëm në zhvillimin e sektorit të bujqësisë, pylltarisë dhe zhvillimit rural. Ne jemi të përkushtuar që ky bashkëpunim të forcohet dhe të thellohet më tej, me fokus të drejtpërdrejtë në përkrahjen ofrimit të shërbimeve të sakta dhe bashkëkohore në sektorin e pylltarisë, e po ashtu në nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm bujqësor e rural”, ka thënë ministri në detyrë, Demelezi.
Ndryshe, dje (22/01/2026) është përmbyllur programi FAO, ku ambasada e Suedisë së bashku me Bashkimin Evropian, kanë subvencionuar pajisje në mbrojtjen dhe zhvillimin e pyjeve.
Në këtë konferencë morën pjesë ekspertë të mjedisit, përfaqësues të institucioneve vendore, si dhe organizata ndërkombëtare, të cilët diskutuan sfidat kryesore me të cilat përballen pyjet në Kosovë, përfshirë prerjet ilegale, ndikimin e ndryshimeve klimatike dhe nevojën për politika më efektive për mbrojtjen dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të tyre. /Telegrafi/


