Forcohet bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri në fushën e doganave, Llugaliu pret në takim homologun Beja
Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, priti në një takim zyrtar Drejtorin e Doganës së Shqipërisë, Besmir Beja, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, në vizitën e parë zyrtare që nga marrja e mandatit.
Gjatë takimit, të dy drejtuesit vlerësuan lart bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet dy administratave doganore, duke e cilësuar atë si të thellë, të qëndrueshëm dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në lehtësimin e tregtisë dhe rritjen e shkëmbimeve ekonomike ndërmjet dy vendeve.
U theksua se të dyja administratat disponojnë kapacitete të rëndësishme për të avancuar më tej bashkëpunimin dhe për të gjeneruar zhvillim të përbashkët.
Në këtë kontekst, u vlerësua veçanërisht integrimi i deritanishëm operacional, përfshirë zhdoganimin në Portin e Durrësit, i cili ka kontribuar ndjeshëm në rritjen e qarkullimit të mallrave dhe forcimin e transitit rajonal. Ky zhvillim u cilësua si një shembull konkret i përfitimeve praktike që burojnë nga koordinimi i ngushtë ndërinstitucional.
Palët diskutuan gjithashtu zhvillimet më të fundit në të dy administratat dhe identifikuan fusha të reja me potencial për bashkëpunim të mëtejshëm, me fokus në lehtësimin e procedurave tregtare, rritjen e transparencës dhe avancimin e proceseve të përbashkëta operative.
Në përmbyllje, të dy drejtorët ritheksuan angazhimin për koordinim të vazhdueshëm dhe u dakorduan për hartimin e një plani të përbashkët bashkëpunimi, i cili do të përcaktojë fusha konkrete veprimi me qëllim që shkëmbimet dhe iniciativat e përbashkëta të jenë të strukturuara, të synuara dhe në përputhje me interesat strategjike të të dy administratave.


