FIFA del me deklaratë pas pretendimeve se Kupa e Botës është e manipuluar për Argjentinën
FIFA ka reaguar zyrtarisht pas polemikave që shpërthyen pas fitores dramatike të Argjentinës ndaj Egjiptit në fazën e 1/8 së finales së Kupës së Botës 2026.
Kampionët në fuqi përmbysën disavantazhin 2-0 për të fituar 3-2 në Atlanta, falë golave të Cristian Romeros, Lionel Messit dhe Enzo Fernandezit. Megjithatë, ndeshja u shoqërua me polemika të mëdha për disa vendime të gjyqtarëve.
Federata Egjiptiane e Futbollit reagoi ashpër pas takimit, duke kërkuar përjashtimin e gjyqtarit dhe të gjithë ekipit të arbitrimit nga Kupa e Botës. Sipas saj, gjyqtarët kryen "gabime të qarta" dhe refuzuan të rishikonin disa incidente të rëndësishme me VAR.
Dy momentet që shkaktuan më shumë debat ishin anulimi i golit të Mostafa Zikos, pasi VAR evidentoi një faull ndaj Lisandro Martinez në fillim të aksionit, si dhe pretendimi i Egjiptit për një penallti ndaj Mohamed Salahut pak para golit vendimtar të Enzo Fernandezit në minutën e 93-të.
Pas akuzave dhe teorive për një favorizim të Argjentinës, shefi i gjyqtarëve në FIFA, Pierluigi Collina, doli në mbrojtje të gjyqtarëve.
"Diskutimet konstruktive për vendimet janë pjesë e futbollit, por akuzat e pabazuara nuk kanë vend në sportin tonë. Askush nuk mund të vërë në dyshim integritetin e gjyqtarëve të Kupës së Botës”.
Collina shtoi se askush nuk mund të pretendojë se arbitrimi i FIFA-s ndikohet nga persona të tjerë, duke theksuar se gjyqtarët marrin vendime me ndershmëri dhe punojnë në mënyrë të pavarur.
Duke sqaruar incidentet e ndeshjes, ai tha se VAR kontrollon të gjithë fazën sulmuese para çdo goli dhe se ndërhyrja ndaj Lisandro Martinez ishte një faull i qartë.
"Një faull është faull. Nëse gjyqtari nuk e sheh në fushë, VAR mund të ndërhyjë”.
Për rastin e Mohamed Salahut, Collina shpjegoi se gjyqtari dhe VAR arritën në përfundimin se kontakti me Julian Alvarez ishte pjesë normale e lojës.
"Mbrojtësi preku fillimisht topin dhe më pas pati kontakt normal futbolli. Nuk u konsiderua faull”.
Në përfundim, ai pranoi se disa vendime mbeten subjektive, por theksoi se FIFA është e kënaqur me mënyrën se si këto parime janë zbatuar gjatë gjithë turneut.
Argjentina tani do të përballet me Zvicrën në çerekfinale të Kupës së Botës, ndërsa fituesi i kësaj sfide do të ndeshet në gjysmëfinale me fituesin e duelit mes Anglisë dhe Norvegjisë./Telegrafi/


