Please enter at least 3 characters.

FFM dënon Shkëndijën me 5 mijë euro dhe hap procedurë të re disiplinore

Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Maqedonisë, në mbledhjen e sotme ka marrë disa vendime lidhur me incidentet dhe ngjarjet që ndodhën në ndeshjet e fundit të Liga e Parë e Maqedonisë së Veriut, njofton Telegrafi.

Më së shumti është ndëshkuar KF Shkëndija, e cila është dënuar me gjobë prej 5.000 eurosh për shkak të organizimit të dobët të ndeshjes kundër Pelisterit në kuadër të javës së 20-të. Sipas vendimit, dënimi vjen pas hedhjes së sendeve në fushë, përfshirë edhe mjete të forta dhe ndezëse, si dhe hyrjes së një personi të paautorizuar në hapësirat zyrtare gjatë ndeshjes.

Përveç kësaj, ndaj klubit tetovar është hapur edhe një procedurë tjetër disiplinore, sërish për organizim të dobët dhe për hedhjen e ndezëseve pas përfundimit të takimit.

Sa u përket futbollistëve, dy lojtarë të Shkëndijës, Imran Fetai dhe Ronaldo Webster janë ndëshkuar me nga një ndeshje pezullim pas kartonëve të marrë në ndeshjet e fundit.

Ndëshkime ka pasur edhe për trajnerët Shaban Suliman i FK Rabotniçki dhe Aleksandar Vasoski i Sileksit, të cilët janë pezulluar me nga dy ndeshje, ndërsa Toni Meglenski i Vardarit është dënuar me një muaj pezullim.

Në të njëjtën kohë, Komisioni Disiplinor ka nisur procedurë edhe ndaj Vardarit për organizim të dobët në ndeshjen e javës së 21-të kundër Shkëndijës. /Telegrafi/