Please enter at least 3 characters.

Ferati-Pamer: Austria mbështet rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut

Ministri për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive Agon Ferati mirëpriti në takim ambasadorin e Austrisë në Maqedoninë e Veriut, Martin Pamer, ku u diskutua për procesin e integrimit evropian të vendit dhe rëndësinë e decentralizimit në forcimin e institucioneve lokale.

Nga ministria njoftuan se në takim u theksua mbështetja e Austrisë për rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe nevoja për reforma të mëtejshme.

“Në takim u fol edhe për rëndësinë e ndërtimit të besimit në një shoqëri multietnike dhe multikonfesionale. Gjithashtu, Ambasadori Pamer vlerësoi organizimin e ngjarjes me rastin e 25-vjetorit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, duke theksuar rëndësinë e saj për bashkëjetesën dhe kohezionin shoqëror”, theksohet në komunikatën e Ministrisë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive.

Bashkëbiseduesit biseduan edhe mundësitë për forcimin e bashkëpunimit në kuadër të projekteve të organizatave joqeveritare të të dyja vendeve.

U vlerësua se bashkëpunimi në këtë fushë mund të kontribuojë në forcimin e demokracisë, përfshirjen e të rinjve, ndërtimin e besimit dhe zhvillimin e bashkësive etnike.