Fenerbahçe negocion me Milanin për Leaon, por 50 milionë euro dhe Liga e Kampionëve vendosin gjithçka
Fenerbahçe ka zhvilluar bisedime me Milanin për transferimin e Rafael Leaos, por marrëveshja mbetet larg finalizimit, pasi ka ende disa pengesa të rëndësishme financiare dhe sportive.
Sipas raportimeve nga Italia, delegacioni i klubit turk, i udhëhequr nga Cihan Kamer, qëndroi në Milano për negociata me drejtuesit e Milanit, përpara se të udhëtonte drejt Polonisë, ku Fenerbahçe do të luajë ndeshjen e raundit kualifikues të Ligës së Kampionëve ndaj Gornik Zabrze.
Kualifikimi në fazën e ligës së Ligës së Kampionëve konsiderohet vendimtar për përpjekjet e Fenerbahçes për të bindur Leaon, pasi pjesëmarrja në këtë kompeticion do ta forconte ndjeshëm ofertën e klubit.
Në këtë aspekt, Galatasaray gëzon një avantazh, pasi e ka siguruar tashmë pjesëmarrjen si kampion i Turqisë.
Megjithatë, kjo nuk është pengesa e vetme. Milani kërkon 50 milionë euro plus bonuse për shitjen përfundimtare të sulmuesit portugez dhe nuk është i gatshëm të pranojë një formulë huazimi me detyrim blerjeje që do ta shtynte pagesën.
Edhe vetë Leao ka kërkesa të larta financiare, pasi kërkon një pagë prej të paktën 10 milionë eurosh në sezon, plus bonuse.
Në garë mbetet edhe Besiktasi, ndërsa deri tani klubet turke janë të vetmet që kanë shfaqur interes konkret për reprezentuesin portugez.
Për momentin nuk priten zhvillime të reja dhe negociatat mund të zgjasin gjatë gjithë afatit kalimtar. /Telegrafi/


