Please enter at least 3 characters.

Federico Valverde 'show' në "Santiago Bernabeu" - het-trik i mesfushorit në pjesën e parë

Real Madrid ka dominuar plotësisht pjesën e parë të përballjes ndaj Manchester City, duke shkuar në pushim me epërsi të thellë 3-0, falë një paraqitjeje të jashtëzakonshme të Federico Valverde.

Ndeshja nisi me ritëm të lartë dhe rastin e parë serioz e krijuan madrilenët në minutën e 8-të, kur Brahim Diaz u gjend në pozitë të mirë brenda zonës, por goditja e tij u ndal pa shumë vështirësi nga portieri Gianluigi Donnarumma.

Manchester City reagoi shpejt dhe në minutën e 19-të ishte shumë afër golit, kur Bernardo Silva provoi me një goditje të fuqishme nga distanca, por topi kaloi shumë pranë shtyllës së majtë.

Megjithatë, një minutë më vonë erdhi goli i parë i ndeshjes. Portieri Thibaut Courtois nisi një aksion të shpejtë me një pasim të gjatë për Valverde, i cili u gjend përballë portierit kundërshtar. Mesfushori uruguaian e mashtroi portierin dhe me qetësi e dërgoi topin në rrjetë për 1-0.


Real Madridi vazhdoi presionin dhe në minutën e 27-të Valverde realizoi edhe golin e dytë personal. Ai pranoi një pasim brenda zonës dhe goditi saktë me një goditje të ulët që përfundoi në cepin e djathtë të portës, duke dyfishuar epërsinë.


Dominimi i madrilenëve u vulos në minutën e 42-të, kur sërish Valverde gjeti rrugën e rrjetës për të kompletuar het-trikun dhe për ta dërguar skuadrën e tij në pushimin mes dy pjesëve me avantazh të thellë 3-0.


Një paraqitje e jashtëzakonshme e mesfushorit Valverde, që po e bën Real Madridin të ëndërrojë për çerekfinalen. /Telegrafi/