FDA ka miratuar shitjen e cigareve elektronike për herë të parë në SHBA
Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave ka miratuar shitjen e cigareve elektronike për herë të parë.
Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA), e cila rregullon produktet mjekësore në Shtetet e Bashkuara, ka miratuar shitjen e cigareve elektronike për herë të parë. Agjencia ka miratuar tregtimin e tre produkteve RJ Reynolds të markës Vuse, raporton bbc.
Përfitimet për të rriturit që përpiqen të lënë duhanin tejkalojnë rrezikun që adoleshentët të "fiksohen", sipas FDA.
Produktet e lejuara kanë një aromë duhani, në krahasim me shijet e ëmbla të njohura tek të rinjtë.
Cigaret elektronike janë shitur gjerësisht në SHBA në dekadat e fundit, por konsumi i tyre nga adoleshentët ka shkaktuar shqetësim.
Prodhuesit kanë pritur më shumë se një vit për miratimin zyrtar pasi FDA ka hetuar avantazhet dhe disavantazhet e mundshme të cigareve elektronike në shëndetin publik.
Më shumë se një dekadë më parë, FDA-së iu dha autoriteti për të rregulluar produktet e reja të duhanit dhe kreu një studim mbi cigaret elektronike për të vendosur se cilat mund të shiten.
Një studim i lëshuar muajin e kaluar nga FDA dhe Qendrat për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC) vlerëson se më shumë se dy milionë studentë kanë përdorur cigare elektronike këtë vit, 80 për qind e të cilëve kanë përdorur produkte me shije. /Telegrafi/


