Please enter at least 3 characters.

Faik Konica sot

Konica të gjitha dukuritë negative i luftoi qysh në kohën e tij. Po pak gjëra kanë ndryshuar në vetëdijen tonë. E sa të zgjasë korrupsioni, intrigat, ndërskëmcat, padituria politike etj.-të gjitha shkrimet e Konicës do të jenë aktuale. Mjafton vetëm ta lexojmë vëmendshëm veprën komplete të tij, për t’i përmirësuar veprimet e mbrapshta. Atëherë kur shkroi ai, kishte më shumë analfabetë, dhe s’kishin s’i t’i përmirësonin mbrapshtitë e veta, sepse nuk e kuptonin Konicën. Sot, së paku, ka më shumë të shkolluar. Biles sa për ta kuptuar se e mira prej të keqes dallon shumë. E Konica luftoi për të mirën e atdheut.

Editori i gazetës politike-letrare-historike”Albania”(1897-1909)-Faik Konica, i cili vetes ia dha epitetin bej, siç është thënë nga shumë studiues të veprave të tij, është polemisti më i madh në kohën e vet. I pajisur me kulturë e dije evropiane, qysh në moshën 21-vjeçare, e nxori “Albania”-n. ( E botonte shqip e frëngjisht). Konsiderohet edhe kritiku i parë i letrave shqipe. Themelues i kritikës letrare. Njëkohësisht, ishte edhe një përkthyes i zoti. (Përkthimet e veta i ka përmbledhur me titullin- “Nën hijen e hurmave”. Ishte stilist i zoti. Madje, më i miri. Bëri shumë armiq me penën e tij. Edhe miqtë i ktheu në armiq. Luftoi me të gjithë: me Kristaq Zagrafin, me Mato Logorecin, me Ismail Qemalin, Shahin Kolonjën, Asdrenin, Naimin, Gaspër Jakovën, me Nolin, Nikollë Ivanajn, me të cilin kërkoi edhe dyluftim. Polemizoi edhe me Avni Rrustemin…

Faiku u lind më 15 mars 1876, në Konicë. Vdiq më 24 dhjetor 1942, në Boston. Me të mbaruar të vitit të fundit të qindvjetëshit të shkuar, Faiku e lë Evropën dhe shkon në Amerikë. Atje vazhdoi edhe studimet në universitetet Harvard, Kembrixh dhe Masaçusets. Qe drejtor i “Diellit”, kryesoi Federatën Panshqiptare “Vatra”(1912-1919), mori pjesë në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1912), u zgjodh edhe kryetar i Kongresit të Tristës (1913).

Pasi e nxori për 13 vjet radhazi “Albanian”, njëherë në Bruksel e pastaj në Londër, revistë kjo për gjuhësi, histori, letërsi, folklor, etnologji, ekonomi, politikë etj., Faiku, në vitet 1911-1914, e botoi edhe revistën “Trumbeta e Krujës”. Jetën e kaloi në Belgjikë, Francë, Austri, Zvicër, Itali dhe Amerikë. Qe mik me Nolin, po me të rënë të qeverisë së tij, bëhet ministër fuqiplotë i Zogut në Uashington, që nga 5 maji 1926 e deri më 7 prill 1939. U quajt “shkrimtari më i urryer në letërsinë shqipe”. Sepse ishte shumë më i ngritur se pjesa dërrmuese e atyre që e lexonin e, si të tillë, nuk mund ta kuptonin filozofinë e shkrimeve të tij. As kombëtarizmin e tij modern, përmes të cilit synonte ta përparonte Shqipërinë. U quajt “njeri me karakter të veçantë”. Se edhe i veçantë ishte. Nuk dihej as kur e kishte kë mik, as kë armik. Sa e shndërronte armikun në mik, sa mikun në armik. Tip “gjaknxehtë, pa fre gjuhe fare”. Se s’përtonte të godiste me shkrime gjithçka që i dukej se është veprim mediokër. Ose vepër që s’e çon për së mbari popullin shqiptar.

Nënshkruhej: Faik bej Konica. Se, në një polemikë me Shahin Kolonjën, i cili e kishte akuzuar se mund të jetë grek e jo shqiptar, Konica ia kthen Kolonjës se origjina e tij është nga ajo e Ali Pashë Tepelenës. “Unë, i thoshte Konica, për shqiptarizmin tim kam dëshmi 400 vjeçare, e ti dëshmoma se ke vetëm 100 vjet shqiptarizëm”. E quajtën “filogrek” (Shahin Kolonja), “filoturk”, “filoaustriak” e “këmbë e krye zogist”. Kështu i quajtën edhe penat më të mëdha shqiptare edhe pas Konicës. I quajtën ashtu mediokrit, të cilët Konica nuk i honepse dot. Konicës i thane edhe njeri me ” karakter të rrëmbyer”. Kur i dukej se dikush e ka përmendur për të keq pa të drejtë, tërbohej i tëri dhe e dërrmonte pastaj me një varg kritikash kundërshtarin. E quajtën edhe “njeri antipatik” dhe “bej, por rebel”. Se s’dinin ç’t’i thoshin ata të tjerët që e dinin aftësinë e tij të madhe intelektuale. T’i thonin i padijshëm, nuk mundnin. Po mllefin e shprehnin me “antipatik” e “bej rebel”.

Njëherë e kishte mik Ismail Qemalin. Dhe, s’vonoi shumë, e sulmoi disa herë në gazetën e tij për shpërdorim parash. Miqësia me të, e as me të tjerët, nuk e mbante peng. Kur i dukej se miku s’po punonte mirë, s’e çantë kokën, po e godiste me tërë forcën intelektuale, sepse për të më e rëndësishme ishte puna e mirë kombëtare, se sa miku.

E kishte shok Nolin, por edhe atë e ktheu në kundërshtar për një kohë të gjatë. Po, meqë e konsideronte intelektual të madh, kur e ndjeu se vdekja po i afrohej, Faiku, për t’ia kthyer eshtrat në atdhe, këtë gjë ia la amanet pikërisht Nolit. Edhe ky (Noli), në fjalimin e vet me rastin e vdekjes së Konicës, tha se ”sot vdiq pena më e madhe shqiptare”. Ky është shembull se si intelektualët e mëdhenj, edhe pse herëpashere kundërshtarë, kanë ditur ta çmojnë njëri-tjetrin. Sot, nuk ndodh kjo në mesin e intelektualëve. Pasi të bijnë në kundërshti me njëri-tjetrin, kundërshtarë të njëri-tjetrit mbesin përjetësisht. Shembulli i Konicës e i Nolit duhet të vlejë edhe për këta, për të rrezatuar në radhë të parë kulturë politike e njerëzore.

Konica nuk u bë me Zogun, siç e akuzonin ata që nuk e kuptonin. Po këtë e bëri për të mirën e Shqipërisë. “Nuk po e mbroj Zogun, por Shqipërinë”, u thoshte miqve të tij. Pikërisht për këtë moskuptim, edhe regjimi enverian e dënoi: nuk lejoi që trupi i tij të varrosej në Shqipëri. Noli, me shpresën se do ta kryente amanetin që ia la Konica, trupin e tij, për disa vjet, e mbajti në frigorifer, që të mos shkapërderdhej. I shkroi Noli Lame Kodrës (Sejfullah Malishovës) që të ndërhynte te autoritetet komuniste. Po s’mundi as ky të bënte gjë. Edhe vetë Lame Kodra u mënjanua nga regjimi komunist. U anatemua. Pas disa vitesh peripecish për t’ia kthyer eshtrat, Noli dhe shqiptarët e Amerikës ia organizuan varrimin në Amerikë. Varrimi i tij ishte i madh, ashtu siç ishte vepra e Konicës. Vetëm pas ardhjes së demokracisë, u realizua amaneti i Konicës. Busti i tij i ngritur në Parkun e Tiranës, e bën krenar këtë qytet.

Faik bej Konica është aktual edhe sot. Se shkrimet e tij duken sikur t’i kishte shkruar tash. Ai i luftonte mediokrit. Dhe ishte në krah të intelektualëve të mirëfilltë. Po edhe atëherë mediokrit kishin pozita të rëndësishme, e intelektualët e mirëfilltë bridhnin rrugëve. Edhe atëherë mediokrit “shiteshin” për “intelektualë e politikanë të mëdhenj”, e intelektualët e mirëfilltë jetonin në zgripc të ekzistencës, të injoruar nga pushteti, nga institucionet shtetërore në përgjithësi. Konica ishte në krah të politikanëve të zotë dhe i stigmatizonte injorantët. Po edhe tash, si në kohën e tij, gëlojnë kudo mediokrit, që ua kanë zënë frymën intelektualëve të aftë për punë të mëdha. Edhe sot gëlojnë politikanë mediokër, e ata që do të mund t’i ndihmonin atdheut për ta ngjitur në një stad të vendeve më të nderuara, janë në margjina. Pra, Konica është tepër aktual. Por a kemi intelektualë që luftojnë për të mirën e atdheut si Konica deri në fund të jetës?

Konica të gjitha dukuritë negative i luftoi qysh në kohën e tij. Po pak gjëra kanë ndryshuar në vetëdijen tonë. E sa të zgjasë korrupsioni, intrigat, ndërskëmcat, padituria politike etj.-të gjitha shkrimet e Konicës do të jenë aktuale. Mjafton vetëm ta lexojmë vëmendshëm veprën komplete të tij, për t’i përmirësuar veprimet e mbrapshta. Atëherë kur shkroi ai, kishte më shumë analfabetë, dhe s’kishin s’i t’i përmirësonin mbrapshtitë e veta, sepse nuk e kuptonin Konicën. Sot, së paku, ka më shumë të shkolluar. Biles sa për ta kuptuar se e mira prej të keqes dallon shumë. E Konica luftoi për të mirën e atdheut.

Për një rrugë që do ta shpinte Shqipërinë dhe shqiptarinë në përgjithësi drejt një vendi të nderuar, ku çdokush duhet të jetë i vëmendshëm se cili është kapaciteti i tij. E jo që analfabetët të zënë poste të rëndësishme ministrore, e intelektualët e mirëfilltë të bredhin rrugëve. Konica tallej me ata që zinin vende të rëndësishme politike e s’kishin kapacitet për t’i menaxhuar ato. Sot, po tallen me ne ata që s’dinë të menaxhojnë. E shoqëria jonë po hesht! Para saj kalojnë çdo ditë mediokrit, të korruptuarit, debillët…E quajnë veten madje edhe VIP-a. “Mozomakeq!”, do të thoshte Konica…

(Autori është kandidat për master në gazetari në Universitetin e Prishtinës)