Fabregas thotë se do të kthehej te Arsenali, por si trajner
Cesc Fabregas ka pranuar se do të dëshironte të kthehej te Arsenali në të ardhmen, pas pjesëmarrjes në një bashkëbisedim me pyetje dhe përgjigje në Twitter.
Mesfushori i Chelseat u largua nga Topçinjtë në vitin 2011, pas tetë sezonesh, për t'u kthyer te klubi i fëmijërisë, Barcelona.
Kur u largua nga Camp Nou (në vitin 2014), Arsene Wenger e refuzoi mundësinë për ta rikthyer në Emirates.
Kështu, asokohe ai nënshkroi për rivalin e Topçinjve, Chelsean, klub me të cilin e ka fituar Ligën Premier dy herë.
Megjithatë, spanjolli nuk e ka hedhur poshtë mundësinë që të kthehet te Arsenali në të ardhmen, por në një rol tjetër.
Kur është pyetur se a do të kthehej te Topçinjtë si trajner, ai është përgjigjur: "Padyshim...".
30-vjeçari ka edhe disa vite karrierë si futbollist, ndërsa përgjigja e tij i ka gëzuar tifozët e Arsenalit, të cilët kanë shkruar në komente se Fabregas e ka zemrën e një topçiu. /Telegrafi/


