Please enter at least 3 characters.

“Është magjepsëse në Ligën Premier”, Pep Guardiola ironizon vendimet e gjyqtarëve

Pep Guardiola u shfaq sërish i irrituar nga një vendim të gjyqtarit, pasi Manchester City humbi terren në garën për titull në Liga Premier pas barazimit kaotik 2-2 ndaj Tottenhamit.

Trajneri i Cityt u ankua se goli i Spurs për rezultatin 2-1, që ndezi një rikthim të çmendur në pjesën e dytë, nuk duhej të ishte pranuar. Dominic Solanke goditi nga prapa mbrojtësin e Cityt, Marc Guehi, ndërsa topi përfundoi në rrjetë, por as gjyqtari dhe as VAR-i nuk e panë të mjaftueshme për të sinjalizuar faull.

Më pas, Solanke realizoi edhe një gol spektakolar për barazimin, duke i dhënë hov Tottenhamit dhe trajnerit të tij të vënë nën presion, Thomas Frank, ndërsa City mbeti gjashtë pikë prapa liderit Arsenal.

Guardiolës iu tha se Solanke e kishte goditur qartë Guehin: “Në rregull, atëherë përgjigjen e jepni ju për mua. Nëse është një mbrojtës qendror ndaj një sulmuesi, është penallti, apo jo? Ju thatë të njëjtën gjë, pra e patë”.

Në deklaratën për "BBC Radio 5 Live", Guardiola e quajti situatën “magjepsëse në Liga Premier”. Më pas, në konferencën për shtyp, ai shtoi:

“Kishte një çështje emocionale te goli i parë që gjyqtari ia dha Tottenhamit… dhe pas kësaj, momentumi është i vështirë për t’u kontrolluar, çfarëdo që të ndodhë këtu në Angli”.

Guardiola është ankuar për disa vendime të gjyqtarit edhe në javët e fundit. Ai ishte i pakënaqur që një gol i Antoine Semenyo u anulua ndaj Newcastle në Kupën e Ligës, po ashtu me faktin se Diogo Dalot i Manchester United shmangu kartonin e kuq në derbi pas një ndërhyrjeje të rrezikshme ndaj Jeremy Doku, si dhe pse Cityt iu mohua një penallti kundër Wolves për lojë me dorë.

Edhe vetë Thomas Frank dukej se kishte një farë mirëkuptimi për ankesën e Guardiolës për golin e parë të Solankes.

“Ka kontakt të qartë prej tij në atë rast. Ne, në përgjithësi, duam një prag më të lartë për faullet. E kuptoj që është në zonën gri. Goli i Liverpoolit nga Hugo Ekitike kundër nesh më 20 dhjetor, sipas mendimit tim, ishte qartazi me dy duar në shpinën e Cristian Romeros”.

“Aty nuk kishte zona gri. Jam thjesht shumë i lumtur që këtë herë na ra për ne, gjë që mendoj se ishte më se e drejtë”./Telegrafi