Emily Blunt ndez debat me këshillën për punën, fansat: E lehtë kur paguhesh me miliona
Aktorja britanike, Emily Blunt, është vënë në qendër të kritikave në rrjete sociale për disa këshilla që dha së fundmi rreth karrierës, të cilat shumë njerëz i konsideruan të shkëputura nga realiteti.
Blunt, e cila po rikthen rolin e asistentes së mbingarkuar në filmin “The Devil Wears Prada 2" në një intervistë foli për skenën ku personazhi i saj përsërit “E dua punën time” teksa përballet me presionin e madh në punë - një skenë që ndër vite është kthyer në meme virale për lodhjen dhe stresin në vendin e punës.
Kur u pyet se çfarë këshille do t’u jepte grave që nuk janë të kënaqura me punën e tyre, ajo fillimisht tha me shaka “Jepni dorëheqjen… jo”, dhe më pas shtoi se njerëzit duhet të gjejnë diçka që e duan vërtet të bëjnë, sepse sipas saj, edhe nëse nuk fiton shumë, je më i lumtur kur e do punën.
Kjo deklaratë shkaktoi reagime të ashpra nga një pjesë e publikut, të cilët theksuan se është e lehtë të flasësh kështu kur je shumë e pasur dhe paguhesh me miliona, ndërsa shumica e njerëzve kanë fatura, qira dhe shpenzime të domosdoshme.
Megjithatë, disa e mbrojtën Blunt, duke thënë se këshilla e saj ka vlerë në rastet kur puna bëhet toksike dhe dëmton shëndetin, dhe se largimi nga një ambient i tillë mund të jetë i domosdoshëm.
Në komente u përmend edhe fakti se Blunt flet nga një pozicion privilegji, pasi pasuria e saj vlerësohet rreth 80 milionë dollarë dhe ajo ka pasur një rritje e arsimim të favorshëm, çka për shumë njerëz e bën mesazhin e saj të tingëllojë i pandjeshëm ndaj realitetit të përditshëm. /Telegrafi/


